Kryetarja e Parlamentit të RSH vizitë zyrtare në Bernë

Më datë 13-15 qershor, Kryetarja e Parlamentit të RSH-së, znj. Lindita Nikolla, me ftesë të homologes zvicerane, bëri vizitë zyrtare në Bernë. I shoqëruar nga Ambasadori i RSH-së në Zvicër, z.Ilir Gjoni, kryetarja u takua me homologen e saj znj.Irene Kalin, Presidentin e Këshillit të Shteteve, z.Tomas Hefti dhe Drejtoren e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), znj. Patricia Danzi.

Gjatë takimeve u diskutua mbi vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm parlamentar e dypalësh, mbështetjen e reformave, konsolidimin e institucioneve demokratike, përmirësimin e sistemit shëndetësor, fuqizimin dhe modernizimin e arsimit profesional, bashkëpunimin në fushën e sigurimeve shoqërore, energjisë, turizmit etj.

Kryetarja Nikolla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Zvicrës në modernizimin e shërbimeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. U diskutua gjithashtu mbi forcimin e diplomacisë parlamentare dhe bashkërendimin e qëndrimeve të dy parlamenteve në organizatat ndërkombëtare. Duke falënderuar homologen Kalin për mbështetjen e vendosur të Zvicrës për Kosovën, Kryeparlamentarja Nikolla kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë dhe Zvicra të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Znj. Nikolla, së bashku me Ambasadorin Ilir Gjoni dhe anëtarët e delegacionit shqiptarë, ndoqën një seancë plenare të Këshillit Kombëtar (Parlamentit), ku me duartrokitje të gjata u mirëpritën ngrohtësisht nga deputetët.

Ndërkaq në takim me drejtoren e SDC-së, Kryetarja Nikolla e falënderoi Drejtoren znj.Patricia Danzi për faktin se Zvicra është donatori i dytë dypalësh i Shqipërisë dhe veçanërisht mbi ndihmën për përballimin e pasojave të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19. Znj. Nikolla vlerësoi angazhimin financiar të qeverisë zvicerane, përmes Strategjisë së Bashkëpunimit 2022-2025.

Kryetarja Nikolla gjatë një video mesazhi për llogaritë e rrjeteve sociale të parlamentit zvicerane, veç tjerash theksoi se Diaspora shqiptare në Zvicër është ura ndërtuese e miqësisë dhe e bashkëpunimit mes vendeve tona.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Pourtalesstrasse 45 A,
CH-3074 Muri bei, Bern

Tel / Fax

Tel. +41319526010
Fax +4131 9526012
Nr. i emergjences: +41774099729

E-MAIL

embassy.bern@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00