Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Zvicër në 14-15 dhjetor. Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me sistemin e arsimit profesional dhe bashkëpunimi midis dy vendeve në këtë fushë. Gjatë kësaj vizite, u zhvilluan një sërë takimesh ndër të cilat veçojmë atë me drejtorin e SDC (Swiss Development Cooperation) z. Manuel Sager, me drejtoreshën e Institutit Federal për Arsimin dhe Kualifikimin Profesional (SFIVET), Prof.Dr. Cornelia Oertli. Gjatë qëndrimit në Zvicër, z. Klosi, vizitoi disa qendra trajnimi dhe shkolla profesionale siç ishte IDM në Thun, si edhe Qendrën trajnimit të punonjësve të Postave zvicerane në Bernë. Ministri Klosi, pati edhe një takim të vecantë me drejtorin e Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore në Bernë, z.Jürg Brechbühl, me të cilin u ra parimisht dakord për nënshkrimin e marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore.