Nga 18-20 nëntor 2016 në Tiranë u organizua për herë të parë Samiti i Diasporës

Nga data 18-20 nëntor 2016 në Tiranë u organizua për herë të pare nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, Samiti i Diasporës me afërsisht 1000 pjesëmarrës nga 40 vende. Samiti mblodhi individë të shquar nga fusha të ndryshme, drejtues apo përfaqësues të organizatave të ndryshme në diasporë si edhe anëtarë të saj nga të gjitha vendet e botës. Samiti ishte një aktivitet jopolitik bazuar në parimin gjithëpërfshirës, me dëshirën për të vendosur një urë komunikimi gjithnjë të dëshiruar por të munguar dhe për të krijuar një mekanizëm komunikimi, bashkëpunimi dhe ndërveprimi të qëndrueshëm mes atdheut dhe bashkëkombësve jashtë vendit. Në këtë event me përmasa mbarëkombëtare diasporën e Zvicrës e përfaqësuan 74 pjesëmarrës nga fusha të ndryshme të jetës. Gjatë Samitit u organizuan disa panele diskutimi të cilat kishin në fokus strukturimin, ndërveprueshmërinë, format dhe mënyrat më praktike për të arritur një organizim më bashkëkohor të Diasporës. Në këto panele kishte diskutantë të Diasporës së Zvicrës, duke ofruar ide dhe eksperienca të komunitetit dhe vendit që ata përfaqësuan. Një prej temave të diskutuara ishte Reforma e shërbimeve konsullore e ndërmarrë nga Ministria e Punëve të Jashtme e cila synon ofrimin e shërbimeve transparente dhe me kosto të ulët për shtetasit shqiptarë. Në këtë kontekst, përmirësimet e fundit të kuadrit ligjor, thjeshtëzimi i praktikave dhe modernizimi i infrastrukturës kanë rritur shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimeve konsullore të ofruara. Në këtë panël ishin të pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Në mbyllje të Samitit u organizua një mbrëmjen gala me pjesëmarrësit e Samitit si dhe personalitete te larta të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Gjatë mbrëmjes u nda edhe çmimi “Shqiponja e Artë”, si vlerësim për kontributin e Diasporës. Në kuadër të Samitit në ambientet e MPJ u çel ekspozita “Dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët e Diasporës" e arvanitasit Panagiotis Koliomichalis. Në këtë ekspozitë u paraqitën fotografi të cilat kishin në fokus dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët e Diasporës në periudhën 1500-1899.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Pourtalesstrasse 45 A,
CH-3074 Muri bei, Bern

Tel / Fax

Tel. +41319526010
Fax +4131 9526012
Nr. i emergjences: +41774099729

E-MAIL

embassy.bern@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00