Më 27 nëntor 2022, në mjediset e Ambasadës së RSH në Bernë, Ambasadori i Shqipërisë Ilir Gjoni, ai i Republikës së Kosovës, Sami Ukelli si dhe ambasadori i RMV Kenan Ramadani, organizuan një takim me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë z. Shaip Kamberi, Kryetarin e Këshillit Kombëtar shqiptar Ragmi Mustafa, Kryetarin e Kuvendit të Bujanocit Enver Ramadani, nënkryetarin e Komunës së Bujanocit Shqiprim Musliu dhe Kryetarin e Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Zvicër (LSHPMBZ) z. Fadil Selmani.
Në këtë takim vëllazëror u diskutua mbi rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në mbështetje të çështjes shqiptare dhe veçanërisht të shqiptarëve të Luginës së Preshëvës. Ambasadorët e pranishëm shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të kontribuar në rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet strukturave të diasporës në Zvicër me ato të vendlindjes dhe realizimit të një qasje të përbashkët në aktivitete, programe dhe iniciativa që janë në interes të diasporës së Luginës së Preshevës në Zvicër. Ata vlerësuan rolin dhe kontributin e z. Kamberi si dhe të drejtuesve komunalë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës.