Më datë 30 tetor 2021, në qytetin e Zyrihut, u zhvillua takimi mes shoqatave të Luginës së Preshevës në Zvicër, ku u themelua Lidhja e Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër (LSHPMBZ).
Këto shoqata të Luginës së Preshevës që veprojnë në Zvicër u bashkuan në një Lidhje të vetme me qëllim bashkërendimin e veprimtarive të tyre në funksion të forcimit të lidhjeve me vendlindjen, kontributin ndaj origjinës dhe promovimin për ruajtjen e gjuhës, traditave, kulturës e historisë shqiptare në Zvicër. Në kryesinë e kësaj shoqate u zgjodhën nga dy përfaqesues të shoqatave nga secila komunë e Luginës, ndërsa për kryetar në mandatin një vjeçar, (me rotacion), nga kryesia e re u zgjodh, z.Fadil Selmani nga Medvegja.
Themelimi i Lidhjes vjen pas nënshkrimit të Memorandumit te Mirëkuptimit mes shoqatave të Luginës në Zvicër më datë 29 maj 2021, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë.
Në themelimin e LSHPMBZ, ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Gjoni i cili e vlerësoi dhe përshëndeti shpalljen e kësaj Lidhje, uroi zgjedhjen e kryesisë së re si dhe nënvizoi mbështetjen pa rezerva nga ana e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë.