Në datë 6 dhjetor, konsullja e nderit e RSH ne Kantonin e Zyrihut, znj. Anita Winter dhe ambasadori i RSH në Bernë z. Ilir Gjoni, organizuan në Hotel Savoy Bauer en Ville në Zyrih një mbrëmje festive me rastin e 105 vjetorit të pavarësise dhe inaugurimit të zyrave të reja te konsullatës së nderit.
Të pranshem në këtë event ishin konsuj nderi të vendeve të ndryshme me seli në Zyrih, përfaqësues të komunitetit shqiptar me banim në këtë kanton, përfaqësues të konsullatës së përgjithshme të Republikës së Kosovës në Zyrih si dhe shumë miq e dashamirës.
Fjalën përshëndetëse e mbajti znj. Winter, konsulle e re e nderit të Shqiperise në kantonin e Zyrihut. Pjesmarrësit i përshëndeti dhe Ambasadori i RSH z. Ilir Gjoni i cili foli për rolin e komunitetit shqiptar që jeton e punon në Zyrih si një faktor i rëndësishëm në jetën ekonomike e politike të kantonit si dhe rëndësinë që ka ky kanton për zhvillimin e marrëdhenieve kulturore, ekonomike e tregtare me Shqipërinë.