Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, zhvilloi një takim me ZëvendësPresidentin e Fondacionit Heritage, James Carafano dhe grupin e ekspertëve të këtij fondacioni për çështjet e politikës së jashtme, sigurisë dhe ekonomisë.
Takimi kishte për qëllim shkëmbimin e mendimeve rreth zhvillimeve gjeopolitike të rajonit të Ballkanit, sfidat me të cilat përballet rajoni dhe domosdoshmërinë e vëmendjes dhe prezencës së SHBA në rajon.
Ministri në Detyrë Cakaj parashtroi një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve aktuale në rajon, duke vënë theksin te rëndësia e agjendës evropiane dhe thellimi i bashkëpunimit të vendeve të rajonit në funksion të kësaj agjende.
Ekspertët e fondacionit Heritage pasi vlerësuan prezantimin e Ministrit në Detyrë Cakaj shprehën gatishmërinë e tyre për të vijuar bashkëpunimin në kuadër të nxitjes së politikës së administratës amerikane për rëndësinë e lidershipit amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Fondacioni Heritage me seli në Uashington është një nga institutet më prestigjoze në fushën e kërkimit dhe hartimit të politikave publike, demokracisë dhe lirive individuale.