Në datat 12-15 korrik 2016, në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme mbajti punimet Konferenca e Ambasadorëve, një aktivitet që mblodhi në Tiranë titullarët e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në botë.
Kjo konferencë shërben si një platformë për shkëmbimin e të dhënave dhe ideve, si dhe ngre për diskutim disa prej çështjeve më të fundit që lidhen me politiken e jashtme të vendit tonë, rajonin dhe arenën ndërkombëtare.
Në këtë konferencë, ishin të ftuar si panelistë anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues te shoqërisë civile, analistë dhe përfaqësues të botës akademike, nga hapësira shqiptare ashtu edhe ajo ndërkombëtare, me qëllim diversifikimin e opinioneve dhe ideve mbi zhvillimet aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare.
I ftuari i nderit në çeljen e punimeve të kësaj konference, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Paolo Gentiloni, në fjalën e tij drejtuar trupit diplomatik, u ndal në zhvillimet më të fundit në kontinent, rëndësinë e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve si dhe fokusin e veçantë që i kushton Italia zhvillimeve në rajon.
Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së konferencës, Ministri Bushati u ndal në aktivitetin e MPJ-së gjatë viteve të fundit, si dhe zhvillimet, parimet themelore dhe objektivat e politikës së jashtme të vendit. Në vijim Ministri Bushati u ndal në punën e kryer në funksion të përmirësimit të infrastrukturës së shërbimit të jashtëm, teknologjisë, burimeve njerëzore. Duke u ndalur me gjerësisht në gamën e shërbimeve që MPJ ofron për qytetaret ku “investimi në teknologjinë e lartë, më konkretisht digjitalizimi i shërbimeve konsullore dhe krijimi i aplikacioneve mbështetëse siç është dhe Aplikacioni konsullor që do të lançojmë në vjeshtën e këtij viti do të përbëjnë përgjigjen me te mire ndaj abuzimeve dhe apatisë” theksoi Ministri Bushati.
Përmirësimi i kuadrit ligjor ne shërbimin e jashtëm ishte një tjetër pike ne te cilën u ndal Ministri Bushati ne fjalën e tij duke theksuar se: “paketa e re ligjore ka nisur të adresojë pikërisht ato sfida me të cilat përballen punonjësit e shërbimit të jashtëm:
· për t’i dhënë fund sistemit të piramidës së përmbysur të gradave diplomatike;
· për të rikthyer në qendër të politikës së burimeve njerëzore profesionalizmin;
· për të vendosur meritokracinë në themel të shërbimit nëpërmjet një konkursi pranimi dhe testeve të promovimit në gradat e larta;
· për ta hapur pozicionin e Ambasadorit për njerëz të talentuar duke u ndarë përgjithmonë nga praktika e kuotave partiake”.
Gjatë kësaj konference u prezantua dhe Nisma e Tiranës si një instrument që do të ndihmojë në monitorimin e Procesit të Berlinit në funksion të integrimit evropian të vendit. “Tirana Initiative” – Nisma e Tiranës, që po shpallim sot në vazhdën e tre samiteve Berlin – Vjenë – Paris dhe në përgatitje të Samitit të radhës në Romë vitin e ardhshëm. Kjo nismë do të shërbejë si platformë:
· për të monitoruar vijimësinë e Procesit të Berlinit, si përshpejtues të procesit të integrimit;
· për ta pasuruar axhendën e bashkëpunimit rajonal duke përfshirë sigurinë dhe çështjet e sundimit të së drejtës;
· për të lehtësuar bashkërendimin me shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe bashkësinë akademike;
· për të mundësuar që ndërvarësia aktuale e Europës Adriatike me BE-në të shndërrohet në një proces ku përfundohet me sukses demokratizimi dhe ku BE-ja mund të kapitalizojë investimin e saj afatgjatë në rajon” theksoi Ministri Bushati.