Cakaj takon Kryetarin e grupit parlamentar për Evropën Jug-Lindore Juratovic

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në kuadër të vizitës së tij në Berlin, zhvilloi një takim me Kryetarin e grupit parlamentar për Evropën Jug-Lindore në Bundestagun gjerman, Josip Juratovic.

Në takim, Ministri në Detyrë Cakaj vlerësoi angazhimin e Bundestagut gjerman në mbështetjen konkrete dhe të gjithanshme që i ka ofruar vazhdimisht Shqipërisë në fushën e reformave, si dhe intensitetin e kontakteve politike te deritanishëm mes përfaqësuesve të Bundestagut me autoritetet Shqiptare.

Duke u ndalur tek hapat e ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe, Ministri në detyrë Cakaj shprehu bindjen se rezultatet e arritura janë të mjaftueshme për të marrë një përgjigje pozitive në qershor të këtij viti për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se hapja e negociatave do të ndikojë pozitivisht në rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe do të kontribuojë për forcimin e kapaciteteve të vendeve të rajonit për të vijuar reformat që do ta sjellin Ballkanin Perëndimor pranë standarteve të BE-së.

Nga ana e tjeter, Juratovic shprehu të njëjtin mendim sa i takon nivelit të dialogut politik dhe bashkëpunimit intensiv që ekziston mes dy vendeve tona. Ai vlerësoi rezultatet e prekshme të palës shqiptare në reformat e ndërmarra, si dhe nënvizoi rëndësinë e çeljes së negociatave për Shqipërinë në qershor duke e konsideruar një mesazh të fuqishëm për rrugën e pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian.

Juratovic theksoi se arritja e marrëveshjes së Prespës përbën një zhvillim tepër inkurajues jo vetëm mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut por edhe për perspektiven e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst ai vlerësoi se vendet e rajonit duhet të bëjnë më shumë për rritjen e bashkëpunimit rajonal, forcimin e Procesit të Berlinit dhe shprehu gadishmërinë për të mbështetur Shqipërinë dhe vendet e rajonit për më shumë arritje konkrete në këtë drejtim.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00