Ministri Bushati në Danimarkë, merr mbështetje për integrimin evropian të Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Danimarkë në një vizitë zyrtare, gjatë së cilës zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Danimarkës z. Anders Samuelsen.

Ministrat Bushati dhe Samuelsen diskutuan mbi procesin e integrimit evropian, dinamikën e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin rajonal dhe çështje të sigurisë evropiane e më gjerë.

Ministri Bushati i shprehu mirënjohjen kolegut Samuelsen për mbështetjen ndër vite të Danimarkës për proceset transformuese demokratike në vendin tonë dhe në procesin e integrimit evropian.

Duke u ndalur tek integrimi evropian, ministrat ndanë mendimin për impaktin transformues që ka politika e zgjerimit në vendet e rajonit të Ballkanit. Ministri Bushati e njohu kolegun e tij me procesin e reformave ne Shqipëri, me fokus reformën në drejtësi dhe progresin e bërë në plotësimin e pesë prioriteteve.

Ministri Samuelsen, duke konfirmuar mbështetjen e Danimarkës për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe duke vlerësuar punën e bërë, u shpreh se Komisioni Evropian është institucioni më i mirë për të vlerësuar progresin dhe se Danimarka do të mbështesë rekomandimin e Komisionit Evropian në raportin e tij për Shqipërinë në muajin prill. Ministri Samuelson shprehu vlerësim për bashkëngjitjen e plotë të Shqipërisë me vendimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Ministrat diskutuan mbi situatën në rajon. Ministri Samuelsen vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit  Perëndimor, si faktor i qëndrueshëm stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal. Në këtë kontekst, ministrat nënvizuan rëndësinë e forcimit të perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit, përmes një vizioni të qartë dhe gjithpërfshirës në Strategjinë e Zgjerimit që pritet të miratohet së shpejti.

Gjatë takimit, ministrat shkëmbyen mendime per çështjet e sigurisë globale me të cilat po përballet Evropa dhe bota. Ministrat Bushati dhe Samuelsen vlerësuan bashkëpunimin dhe rolin e vendeve te tyre, edhe si vende anëtare të NATO-s, në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, IS, dhe rolin e aktorëve të tretë në krizat rajonale.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi dhe një takim me Nën-Sekretarin e Përhershëm në Kryeministri, z. Michael Starbæk Christensen, gjatë të cilit u diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit evropian.

Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësues të Komitetit për Çështjet Evropiane dhe të Politikës së Jashtme në Parlamentin e Danimarkës. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime në lidhje me perspektiven evropiane të Shqipërisë.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00