Ministri në Detyrë Cakaj takon Kryetaren e Kongresit Amerikan Nancy Pelosi: Mirënjohje për mbështetjen e saj për forcimin e lidhjes Euro-Atlantike

Në margjinat e takimit të përbashkët të organizuar në Kongresin amerikan me rastin e 70 vjetorit të krijimit të NATO-s, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Kryetaren e Kongresit amerikan Nancy Pelosi.

Në këtë takim, u ndanë qëndrime të përbashkëta për sa i përket forcimit të lidhjes Euro-Atlantike dhe u nënvizua fakti se kjo lidhje ka krijuar jo vetëm siguri dhe stabilitet por edhe premisat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e forcim të shkëmbimeve politike e kulturore.

“Popujt e vendeve në të dy anët e Atlantikut, pjesë e Aleancës, ndajnë të njëjtat vlera dhe aspirata të mbështetura në parimet e demokracisë, lirisë dhe barazisë” u shpreh Ministri në Detyrë Cakaj.

Gjithashtu u diskutua mbi zhvillimet politike në rajonin tonë dhe rolin konstruktiv që ka luajtur dhe vazhdon të luajë Shqipëria në funksion të zhvillimit dhe integrimit të të gjithë rajonit tonë në strukturat Euro-Atlantike.

“Shqipëria ka çmuar përherë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ky partneritet përbën një nga elementet kryesorë në politikën e jashtme dhe angazhimin e Shqipërisë në rajonin tonë” theksoi Ministri në Detyrë Cakaj.

Nga ana e saj, Kryetarja e Kongresit amerikan Pelosi u shpreh se SHBA-të kanë mbështetur pa rezerva Shqipërinë në rrugëtimin e saj deri në anëtarësimin e plotë në NATO 10 vjet më parë e do vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe për aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00