Me mbështetjen dhe sponsorizimin e Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bruksel
Më 14 – 17 Prill 2016, në Palltatin e Arteve të Bukura në zemër të Brukselit u zhvillua me shumë sukses edicioni i 10-të jubilar i Festivalit Ndërkombëtar Kulturor 'Balkan Trafik'.
Për tre ditë me radhë, jo vetëm mjediset në Bozar, por edhe sheshi Grand Place përcollën vlerat, këngët, vallet, muzikën dhe kulturën e Evropës Juglindore dhe vendeve të tjera.
Falë mbështetjes dhe sponsorizimit nga Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me mikpritësit dhe Ambasadën e saj në Bruksel, Shqipëria mori pjesë për të 10-tën herë me këngëtarën e mirënjohur Vikena Kamenica, Grupin muzikor Keli Band dhe grupin e famshëm popullor 'Ali Pasha'.
Falë edhe kontributit të disa shoqatave kulturore shqiptare, sidomos 'ALBABEL', 'VATRA' dhe 'KONICA', gjatë këtij edicioni jubilar ishin të pranishëm edhe grupet dhe muzikantët e mëposhtëm popullorë:
*Ansambli i mirënjohur i Këngëve dhe Valleve Popullore i Brukselit ‘Vatra’;
*Aktorja Anila Dervishi me ‘Fabula dhe Legjenda’ të mbledhura dhe botuara nga publicisti i njohur Safet Kryemadhi;
Kosova ishte e pranishme në këtë festival me grupin e njohur ‘Zig Zag’ dhe këngëtarin Dren Abazi.
Me këtë rast, në mjediset e Bozar qendroi e çelur dhe një stendë me materiale të shumta mbi zhvillimin dhe mundësitë e turizmit në Shqipëri, që u hap me mbështetjen e kësaj Ambasade dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit të vendit tonë. Ashtu si dhe vitin e kaluar, pjestarët e Shoqatës aktive kulturore të studentëve ‘VLERA’ dhanë kontributin e tyre të njohur.
Ky Festival u mbyll me një manifestim të madh kulturor në sheshin Grand Place ditën e Diel, më 17 Prill 2016, në prani të mjaft personaliteteve belge, të Brukselit dhe të BE-së, ku Kamenica & Keli Band-Ali Pasha, bashkë me Ansamblin artistik ‘Vatra’ ndezën atmosferën me pjesët e tyre më të bukura të shoqëuara me valle e këngë nga qytetarët e pranishëm.
Me këtë rast përshëndeti edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Belgjikë dhe Kreu i Misionit pranë BE-së, znj. Suela Janina. Bashkatdhetarët tanë së bashku me miqtë, kolegët dhe dashamirësit e tyre të huaj u bënë pjesë aktive e këtij manifestimi të madh kulturor dhe artistik.
Grupi Vikena Kamenica&Keli Band dhe Ali Pasha dhanë koncerte në Bozar dhe në disa mjedise të tjera.