Më 30 prill 2026, në “Haus der Deutschen Wirtschaft” në Berlin u mbajt Konferenca Ekonomike Shqipëri-Gjermani, e cila shënoi një moment të rëndësishëm për forcimin më tej të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe për diskutimin e investimeve të reja, duke vendosur themele të reja për thellimin e partneritetit tonë.
Konferenca mblodhi përfaqësues të lartë institucionalë dhe të biznesit nga Shqipëria dhe Gjermania, të cilët diskutuan bashkëpunimin ekonomik, me fokus energjinë, infrastrukturën, industrinë, shërbimet, ICT, turizmin dhe bujqësinë.
Aktiviteti u përshëndet nga Dr. Thomas Steffen, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale për Çështje Ekonomike dhe Energji, znj. Olta Manjani, Zv. Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, znj. Adia Sakiqi, Ambasadore e Shqipërisë në Gjermani, Dr. Volker Treier, Anëtar i Bordit Ekzekutiv dhe Kryetar i DIHK, si dhe nga z. Artan Pojani, President i Shoqatës Gjermano-Shqiptare e Biznesit.
Panelistë nga pala shqiptare ishin z. Enkelejd Musabelliu, Zv. Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Fatmir Guri, Zv. Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe znj. Laura Plaku, Drejtoreshë e Agjencisë për Investime dhe Zhvillim AIDA.
Konferenca u realizua me sukses falë bashkëpunimit të ngushtë mes Ambasadës së Shqipërisë në Berlin dhe partnerëve të saj DIHK (Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë), DAW – Shoqata Gjermano-Shqiptare e Biznesit, OA – Shoqata Gjermane e Biznesit për Evropën Lindore dhe BGA – Shoqata Federale e Tregtisë së Jashtme.





