Kori Ndërkombëtar i Dhomës së Tiranës “BujArt” – BujArt International Chamber Choir of Tirana, do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin e Koreve të Berlinit, që zhvillohet nga 21 deri më 26 shtator 2026, organizuar nga Shoqata e Koreve të Berlinit (Chorverband Berlin).
Ky është një aktivitet i jashtëzakonshëm ndërkombëtar, ku marrin pjesë rreth 223 kore nga vende të ndryshme të botës, në kuadër të një përpjekjeje të veçantë për të realizuar një rekord botëror të këndimit koral, përmes një vazhdimësie të performancave korale gjatë ditës dhe natës.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, Shqipëria do të jetë e pranishme përmes BujArt, i cili do të sjellë në skenën e Berlinit një program tërësisht shqiptar, të ndërtuar mbi repertorin dhe trashëgiminë tonë të çmuar korale.
Përfaqësimi i Shqipërisë në Berlin:
BujArt do të performojë:
– më 25 shtator 2026,
– në orën 15:30,
– në ATZE Musiktheater Berlin
– me një program rreth 30-minutësh, që përfshin vepra të kompozitorëve të njohur shqiptarë:
* Zef Çoba – Si bylbylat në pranverë
* Milto Vako – Erdhi prilli, shkriu bora
* Josif Minga – Çelni lule se erdhi pranvera
* Tish Daija / K. Çollaku – Me lule t’bukra
* Tish Daija / Bujar Alliu – E bukur vjen pranvera
* Endri Sina – Muzg vjeshte
* K. Kono / Isak Shehu – Kur më vjen burri nga stani
* Tish Daija – Po vijnë krushqit
* Vasil S. Tole – Amane
Përmes këtij programi, BujArt synon të prezantojë në Berlin jo vetëm një koncert, por një pjesë të identitetit dhe trashëgimisë muzikore shqiptare, përmes krijimtarisë së kompozitorëve tanë dhe traditës së pasur të muzikës korale shqiptare.
Kori Ndërkombëtar i Dhomës “BujArt” është krijuar në vitin 2019 dhe drejtohet nga Prof. Assoc. Bujar Alliu, pedagog i Dirizhimit Koral në Universitetin e Arteve të Tiranës, Dirigjent i Korit të Universitetit të Arteve të Tiranës, si dhe Drejtor Artistik dhe Dirigjent i BujArt.
Mos e humbisni këtë mundësi për të dëgjuar e shijuar nga afër muzikën shqiptare në zemër të Berlinit!

Screenshot



