Në kuadër të vizitës së Ambasadores së Shqipërisë në Gjermani znj. Adia Sakiqi, në Schleswig-Holstein, u zhvillua një takim me përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Kielit dhe Lübeckut, z. Jörg Orlemann, Drejtor Ekzekutiv, dhe z. Werner Koopmann, Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ambasadorja u shoqërua nga Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Schleswig-Holstein, z. Kolë Gjoka.
Gjatë takimit, Ambasadorja Sakiqi dhe Konsulli i Nderit Gjoka theksuan potencialin e madh të Shqipërisë për bashkëpunim ekonomik dhe investime.
Diskutimet u përqendruan në forcimin e lidhjeve ekonomike, promovimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe nxitjen e partneriteteve në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë turizmin, peshkimin dhe programet e formimit profesional.
Takimi rikonfirmoi angazhimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Landit të Schleswig-Holstein, si dhe për eksplorimin e mundësive të reja për bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë.



