30 Nëntor 2022 - Një mbremje Gala shqiptare në Athinë

Ambasada e RSH-së Athinë përmbylli muajin e festimeve për nder të 110 Vjetorit të Pavarësisë dhe 78 Vjetorit të Çlirimit të vendit me një mbrëmje gala në Pallatin e Koncerteve dedikuar miqve grekë dhe ndërkombëtarë të Shqipërisë në Athinë. Nderuan këtë aktivitet me pjesëmarrjen e tyre anëtarë të kabinetit të ministrave të Greqisë, z. Adonis Georgiadis, Ministër i Zhvillimit dhe Investimeve, z. Kostas Tsiaras, Ministër i Drejtësisë, z. Kostas Skrekas, Ministër i Mjedisit dhe Energjisë, deputetë të Parlamentit grek, funksionarë të larë të pushtetit qendror dhe vendor, Prefekti i Atikës, z. Giorgos Patoulis, Kryetari i Bashkisë Mikono, z. Konstandinos Koukas, Nënprefekti i Rajonit Qendror të Athinës, z. Giorgos Dimopoulos, Nënprefekti i Kretës, z. Kostas Fasoulakis, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Greqi, krerë të Dhomave Tregtare të Athinës, Pireut dhe Tiranës si dhe të organizatave të promovimit të investimeve, personalitete të artit dhe kulturës shqiptare, greke dhe të huaja, drejtues të NGO-ve më në zë dhe sipërmarrës të suksesshëm grekë dhe shqiptarë.

Ambasadorja e RSH-së në Athinë, znj. Luela Hajdaraga, në fjalën e hapjes falenderoi të pranishmit që ndanë me popullin shqiptar gëzimin e këtyre festave si dhe i ftoi ata të shijojnë në këtë mbrëmje një buqetë Shqipërie, kompozuar nga talenti, arti, kultura, produktet, kulinaria dhe turizmi shqiptar. Ambasadorja Hajdaraga shprehu kënaqësinë për nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe vullnetin për t'i thelluar më tej ato, në të mirë të dy popujve miq dhe fqinj.

Mbrëmjen festive e përshëndeti posaçërisht, me anë të një video-mesazhi, Ministri i Jashtëm i Republikës Helene, z.Nikos Dendias, si dhe Ministri i Zhvillimit dhe Investimeve të Republikës Helene, z. Adonis Georgiadis.

Organizimi i këtij viti, me tematikë  Diplomacinë Ekonomike, solli në sallën e Pallatit të Koncerteve aromat e ushqimeve dhe pijeve shqiptare, veshjet tradicionale, suveniret, Shqipërinë turistike si dhe shumë sipërmarrës të suksesshëm shqiptarë dhe grekë, me aktivitet në të dy vendet. Atmosfera kuq e zi u elektrizua nga tingujt e violinës së virtuozit Olen Çesari, shoqëruar nga këngëtarja Lavinia Mancusi si dhe zëri brilant i këngëtares së talentuar, Marsela Çibukaj. E ftuara speciale e mbrëmjes, diva e muzikës greke, Glykeria, debutoi këngë në të dy gjuhët, duke u bërë njësh me zërin e publikut i cili e shoqëronte gjatë gjithë performancës. Një dhuratë e veçantë për këtë përvjetor ishte performanca e valleve shqiptare dhe greke nga balerinët e talentuar shqiptarë të trupave të baletit të Athinës me pjesëmarrjen e të mirënjohurit Danilo Zeka.

Gjithashtu bukurinë mbrëmjes ia shtuan grupi i vajzave shqiptare të veshura me veshjet tradicionale, të ardhura posaçërisht nga Tirana, nën kujdesin e znj. Edlira Sulaj.

Një falenderim të veçantë për të gjithë sipërmarrësit shqiptarë dhe grekë, mbështetësit e aktivitetit, të cilët bënë të mundur realizimin e idesë dhe kurorëzimin me sukses të një mbrëmje e cila do të ngelet gjatë në kujtesën e të gjithëve.
 
Gëzuar Shqipëri!!

ADRESA

Ambasada Shqiptare
Vekiareli 7 Filothei 15237,
Athens. GR

TEL / FAX

Tel. + 30 2106876200
E hënë - enjte, ora 09:00-15:00, E premte 09:00-14:00

Tel. + 30 2106876212
E hënë - enjte, ora 09:00-15:00, E premte 09:00-14:00

Tel. + 30 2106876213
E hënë - enjte, ora 09:00-15:00, E premte 09:00-14:00
 

Tel. + 30 2106876215
E hënë - enjte, ora 09:00-15:00, E premte 09:00-14:00

Tel: Nr. i emergjencave:
+30 694165 8183 (24/7)

 

E-MAIL

embassy.athens@mfa.gov.al
Zyra Konsullore

consulate.athens@mfa.gov.al

ORARI ZYRTAR


09:00 - 17:00

Sektori Konsullor:

E Hënë - Enjte 9:00-15:00

E Premte 09.00.14.00