Gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Pallatin Presidencial të Qipros, Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Qipros, me rezidencë në Athinë, Sh.S. Znj. Luela Hajdaraga i paraqiti zyrtarisht Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës së Qipros, Sh.T. Z. Nicos Anastasiades.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Hajdaraga i përcolli Presidentit Anastasiades përshëndetjet e autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar, si dhe urimet më të mira për Qipron dhe popullin e saj, duke shprehur vullnetin dhe angazhimin tonë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumëdimensionale mes Shqipërisë dhe Qipros.
Nga ana e tij, Presidenti Anastasiades shprehu bindjen se të dy vendet ndajnë të njëjtin synim, atë të forcimit dhe zgjerimit të dialogut dhe bashkëpunimit, si në kontekstin bilateral ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Presidenti rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të qartë të Republikës së Qipros në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, duke theksuar se mirëpret hapjen sa më shpejt të negociatave për anëtarësim.
Gjatë kësaj vizite, Ambasadorja, znj. Luela Hajdaraga zhvilloi takime të frytshme me Ministrin e Jashtëm, z. Ioannis Kasoulidis, si dhe me Zëvendës Μinistrin e Turizmit, z. Savvas Perdios ku u diskutua për identifikimin e mundësive në drejtim të forcimit të mëtejshem të bashkëpunimit dypalësh, duke u ndalur në thellimin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, turizmit dhe investimeve.