Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve 2021, në datat 11 dhe 12 dhjetor 2021, Tregu Bashkiak i Kipselit dhe Forumi Grek i Imigrantëve zhvilluan një festival multikulturor dyditor, ku Shqipëria u përfaqësua nga shoqata ‘‘Lidhja E Gruas Shqiptare në Greqi’’ (Σύνδεσμος Αλβανίδων Γυναικών στην Ελλάδα), me kryetare znj. Agapi Gjika.
Në këtë festival morën pjesë komunitete të ndryshme imigrantësh nga Shqipëria, Egjipti, Etiopia, Afganistani, Gjeorgjia, Kongo, Ukraina, Pakistani, Senegali dhe Sue. Pjesëmarrësit shijuan një program festiv me kërcime, muzikë, seminare për fëmijë dhe të rritur, si dhe ushqime dhe pije tradicionale të vëndeve pjesëmarrëse.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin gjithashtu Ambasadorja e RSH-së në Greqi znj Luela Hajdaraga, Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë z. Fitim Gllareva, Oficerja Koordinuese për Diasporën, znj. Joneda Dodaj, dhe Kryetari i ‘‘Komunitetit Shqiptar në Greqi’’, z. Ermal Sulaj.
Ambasadorja Hajdaraga, pasi përgëzoi komunitetin shqiptar për përfaqësimin dinjitoz dhe aktiv, shprehu mbështetjen e Ambasadës për vazhdimësinë e organizimeve të tilla, që synojnë në promovimin e traditave dhe kulturës shqiptare në diasporë.