Të nderuar bashkëatdhetarë,
Në vijim të komunikimit tonë të mëparshëm, duke marrë shkasë nga e-mailet e shumta drejt postës sonë elektronike nga qytetarët tanë të cilët shprehin shqetësimin madhor të skadimit të vlefshmërisë së dokumenteve të tyre qëndrimit të cilat kanë varësi të drejtpërdrejtë nga vlefshmëria e dokumenteve të tyre biometrikë, pas shqyrtimit të gjithë aspekteve ligjore të masave të reja kufizuese të shpallura nga autoritetet greke për periudhën 7 – 30 nëntor 2020, ju bëjmë me dije se:
Zyra Konsullore Athinë do të vijojë shërbimin në sportel për qytetarët, me rregulla të përshtatura me situatën aktuale, si më poshtë:
-Duke filluar nga dita e hënë, datë 9 nëntor 2020, Zyra Konsullore Athinë do të ofrojë shërbimin për pajisje me dokumente biometrikë për të gjithë ata shtetas që u ka kaluar afati i skadencës së dokumenteve ose që janë në prag skadimi. Paraqitja pranë Zyrës Konsullore do të kryhet sipas planifikimit paraprak:
- Për aplikimet e reja në e-albania, në bazë të mesazhit elektronik dërguar automatikisht nga sistemi në postën tuaj elektronike.
- Për takimet e humbura dhe pa pasur nevojë për aplikim të ri, në bazë të kërkesës suaj në postën tonë elektronike consulate.athens@mfa.gov.al duke theksuar datën të cilën konsideroni të përshtatshme për paraqitjen tuaj dhe me miratim të Zyrës Konsullore.
- Për veprime të tjera konsullore (prokura, vërtetime, deklarata etj) vetëm për raste emergjente dhe vetëm pas miratimit të kërkesës suaj të argumentuar nëpërmjet postës sonë elektronike consulate.athens@mfa.gov.al.
Sjellim në vëmendjen tuaj se paraqitja në Ambasadë duhet të kryhet pas marrjes së mesazhit elektronik me datën dhe orarin e caktuar të takimit dhe në respektim të plotë të rregullores së qarkullimit të qytetarëve brenda territorit grek siç është publikuar nga autoritetet greke (SMS në numrin 13033: 3_ Emër Mbiemër , Adresa e vendbanimit). Gjithashtu respektimi i protokollit të sigurisë së shëndetit publik (mbajtja e maskës brenda dhe jashtë ambjenteve të Zyrës Konsullore, ruajtja e distances së sigurisë, dezinfektimi i duarve me solucionet e vendosura brenda hapësirës së Zyrës Konsullore) është detyrim.
Duke qenë se masat e reja parashikojnë kufizim të lëvizjes nga një rreth në tjetrin dhe për të shmangur penalizimet e mundshme, udhëzojmë bashkëatdhetarët tanë me banim jashtë rrethit të Atikës, të shmangin në këtë periudhë mbyllje kombëtare marrjen e shërbimeve pranë Ambasadës ose të marrin paraprakisht miratimin e autoriteteve lokale greke për lëvizjen e tyre.
-Tërheqja e dokumenteve biometrikë do të kryhet vetëm nëpërmjet shërbimit postar, për të gjitha kërkesat e administruara në postën tonë elektronike consulate.athens@mfa.gov.al, ku duhet të jenë specifikuar saktësisht të dhënat e kërkuesit dhe adresa e plotë e shtëpisë.
Shkruani në subjekt të e-mailit tuaj “Kërkesë për tërheqjen e pasaportës” dhe në tekst të dhënat e mëposhtëme:
- Emër Mbiemër
- Adresa e saktë e shtëpisë (emri i rrugës, numri, kodi postar, qyteti, rrethi)
- Foto e faturës së aplikimit.
- Numri i telefonit celular.
Theksojmë se nuk nevojitet ridërgimi i kërkesave me e-mail për të gjithë ata qytetarë që pas procedures së aplikimit pranë Ambasadë kanë depozituar deklaratën me përgjegjësi për dërgimin me postë të dokumeneteve të tyre biometrikë.
Për çdo sqarim të mëtejshëm jeni të lutur të na kontaktoni gjatë orarit zyrtar në numrat tanë fiks të telefonit si dhe nëpërmjet postës sonë elektronike consulate.athens@mfa.gov.al. Për rastet emergjente mbetet në dispozicion numri ynë i emergjencës +30 6941658183 i cili funksionon 24 orë.
Ju faleminderit për mirëkuptimin.