Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, znj. Luela Hajdaraga u prit në një takim nga Prefekti i Qarkut të Atikës, z. Giorgos Patoulis. Në një afmosferë miqësore, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dy vende fqinje dhe partnere strategjike, solidaritetin dhe mbështetjen reciproke në situata të vështira, duke u ndalur, veçanërisht, në çështje që lidhen me komunitetin shqiptar në Greqi.
Referuar këtij të fundit, Ambasadorja Hajdaraga evidentoi: interesin për ngritjen e një qëndre kulturo-sociale për komunitetin shqiptar, nevojën për një mbështetje më të madhe ndaj komunitetit shqiptar, nevojën dhe rëndësinë për përfaqësim të komunitetit shqiptar në këshillat e Qarkut apo të Bashkive dhe forcimin e bashkëpunimit mes Ambasadës dhe Qarkut, në funksion të interesave të këtij komuniteti.
Nga ana e tij, z. Patoulis e vlerësoi këtë takim si shumë të dobishëm dhe konstruktiv, duke theksuar se ky bashkëpunim do të shtrihet në organizimin e aktiviteve të përbashkëta, në nisma dhe veprime - në të cilat do të përfshihet edhe komuniteti shqiptar, si komuniteti më i madh në Athinë, të cilat do të kontribuojnë, gjithashtu, edhe në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe Greqisë.