Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Greqi, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku zhvilloi takime të rëndësishme bilaterale me Ministrin e Mjedisit dhe Energjisë, z. Kostas Skrekos, me Ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, z. Kostas Karamanlis, si dhe me Zëvendës Ministrin e Jashtëm për Çështjet Ekonomike, z. Kostas Fragogiannis.
Gjatë kësaj vizite, Ministrja Balluku shoqërohej nga një grup ekspertësh, si dhe nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga.
Në këto takime u ra dakord që Shqipëria dhe Greqia të realizojnë së bashku projekte në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës për promovimin e strategjive për tranzicionin energjetik dhe krijimin e magazinimit të saj, ndërtimin e dy projekteve infrastrukturore që lidhin Shqipërinë dhe Greqinë - Korridori Blu dhe linja hekurudhore Pogradec-Ieropigi, projekte këto të një rëndësie strategjike, të cilat do të sjellin përfitime të shumëfishta në drejtim të zhvillimit ekonomik të të dy vendeve, si dhe në jetën e qytetarëve të tyre.