Në datën 3 qeshor 2014, në kuadër të kryesisë austriake, u mbajt në Vjenë takimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore (CEI).
Në takim morën pjesë ministrat e jashtëm të 18 vendeve anëtare, si dhe të ftuar në nivele të larta nga Komisioni Evropian, si dhe një varg organizatash e institucionesh të tjera aktive në rajon.
Në fjalën e tij në takim, Ministri Bushati, pasi theksoi vullnetin e Qeverisë Shqiptare për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm me vendet anëtare të Nismës së Evropës Qendrore, nënvizoi gatishmërinë e palës sonë për të qenë pjesëmarrës aktivë në projektet dhe aktivitetet e organizatës në fushat prioritare, si: transport, energji, turizëm, kulturë, mbrojtje e mjedisit, etj.
Në kuadër të përgatitjeve lidhur me 25 vjetorin e CEI-t, z. Bushati, nënvizoi se ky përvjetor duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të evidentuar çka është arritur dhe për të përcaktuar rrugën në të cilën do të ecet në të ardhmen. Shqipëria, vuri në dukje ai, mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e saj gjatë këtij procesi.
Duke përshëndetur presidencën austriake për prioritetet dhe kontributin gjatë kryesimit të saj të CEI-t, z. Bushati përshëndeti ftesën për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në takim, duke e konsideruar këtë si një hap në drejtimin e duhur, për të realizuar në praktikë parimin e gjithë-përfshirjes në bashkëpunimin rajonal.
Takimi i Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore (CEI) miratoi një deklaratë politike. Në deklaratë theksohet se ministrat mirëpresin një vendim pozitiv të Këshillit Evropian në qershor, lidhur me statusin kandidat për Shqipërinë.