Në kuadër të një vizite studimore në Athinë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve z. Ilirjan Celibashi, i shoqëruar nga Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga, zhvilloi takime me Ministrin e Brendshëm të Greqisë z. Makis Voridis, Sekretarin e Përgjithshëm për Diasporën Greke dhe Diplomacinë Publike në MPJ-në greke z. Ioannis Chrysoulakis, si dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme të Greqisë Dr. Theodore Economou.
Në fokus të takimeve ishin, njohja me mekanizmat zgjedhorë që do të garantojnë votën e shtetasve shqiptarë rezidentë në Shtetin Grek, njohja me profilin e procesit zgjedhor të modelit të votimit të diasporës greke, avantazhet, problematikat, pritshmëritë, zgjidhjet dhe aspektet logjistike të procesit zgjedhor të tij, si dhe kriteret teknike për përfshirje në votimin në distancë.
Në këtë kontekst, palët shkëmbyen njohuritë dhe eksperiancat e tyre mbi mundësitë ligjore dhe administrative të procedurave të votimit dhe administrimit të zgjedhjeve dhe krahasuan legjislacionet respektive, duke analizuar profilet e gjeneratave të ndryshme të zgjedhësve jashtë vendit, si edhe zgjidhjet dhe praktikat ndërkombëtare.
Bashkëbiseduesit shprehën vullnetin e përbashkët për të intensifikuar bashkëpunimin dhe koordinimin, në favor të garantimit të së drejtës së votës të shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit.