U zhvillua sot në Bruksel takimi i shtatë i Këshillit të Stabilizim - Asociimit BE-Shqipëri, nën kryesimin e Edgars Rinkēvič, Ministrër i Jashtëm i Letonisë, vend i cili mban presidencën aktuale të Këshillit të BE-së.
Komisioni Evropian u përfaqësua në këtë takim nga Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjermit Johannes Hahn, ndërsa delegacioni shqiptar, në përbërje të të cilit ishin Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha dhe Kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian dhe e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, znj. Majlinda Bregu, u kryesua nga Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.
Këshilli i Stabilizimi - Asociimit mblidhet një herë në vit për të bërë një analizë të imët të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit si dhe për të shqyrtuar ecurinë e reformave kyçe në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Këshilli vuri në dukje arritjet e Shqipërisë në plotësimin e kritereve politike për anëtarësim, në luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, si dhe në reformën në drejtësi .
Megjithatë, pavarësisht arritjeve, Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme dhe duhet të intensifikojë reformat në pesë fushat parësore, sidomos ato që kanë të bëjnë me shtetin ligjor dhe sundimin e së drejtës në ekonomi.
Po ashtu, Këshilli i Stabilizim - Asociimit theksoi se dialogu politik konstruktiv e gjithëpërfshirës midis forcave politike në vend është i domosdoshëm për qëndrueshmërinë e reformave shtet ndërtuese.
Në lidhje me kriterin ekonomik, Këshilli i Stabilizim – Asociimit vuri në dukje zbatimin në mënyrë të kënaqshme të një pjese të madhe të projekteve të asistencës dhe impenjimin e autoriteteve shqiptare në përgatitjen e IPA II.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati shprehu përkushtimin e palës shqiptare në përmbushjen e masave dhe kritereve të identifikuara bashkërisht me Komisionin Evropian në udhërrëfyesin për pesë prioritetet kyçe. Ai theksoi gjithashtu se "procesi i anëtarësimit ofron një orientim si për zbatimin e reformave shtet ndërtuese ashtu dhe për sipërmarrjen në ekonomi".
Ministri Bushati vlerësoi se, në këtë kontekst, "ne do të mirëprisnim dakordësimin e një kalendari hapash konkrete që do të çonte drejt një rekomandimi pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kjo qasje graduale do të ndihmojë ritmin e reformave dhe ruajtjen e motivimit të administratës”.
"Zhvillimet më të fundit në rajonin tonë kanë dëshmuar qartë se ngrirja e proceseve integruese në Ballkanin perëndimor mbart rreziqe për stabilitetin e rajonit. Në kontekstin e sfidave gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, është e nevojshme që BE-ja të japë një mesazh politik të qartë për forcat politike reformuese në rajon", u shpreh Ministri Bushati.
Në fund të takimit, pas shkëmbimit të pikëpamjeve mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, Këshilli vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë për stabilitetin në rajon, si dhe linjëzimin e qëndrimeve të Shqipërisë me vendimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Gjatë konferencës për shtyp, Komisioneri Hahn shprehu besimin se "Shqipëria do të vijojë progresin e qëndrueshëm në rrugën e saj drejt BE-së".