Më 6 dhjetor 2017, u mbajt në Varshavë “Forumi i Biznesit Shqipëri–Poloni: Sfida dhe Mundësi”, si bashkëpunim i Ambasadës së RSH në Varshavë me Dhomën e Tregtisë së Polonisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Polonisë. Mbajtja e këtij forumi u realizua në kuadër të vitit të 80-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve midis dy vendeve dhe përkoi gjithashtu me vizitën zyrtare të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Varshavë.
Temat kryesore të Forumit ishin Investimet, Tregtia dhe Turizmi. Forumi u nderua nga pjesëmarrja e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres polake Beata Szydło. Në forum morën pjesë gjithashtu Ambasadorja e Shqipërisë në Varshavë, Shpresa Kureta dhe Ambasadori i Polonisë në Tiranë, Karol Bachura; Zv/Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Polonisë, z. Tadeusz Kościński; Zv/Minisri i Ekonomisë dhe Financës së Shqipërisë, z. Elton Haxhi; Presidentja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, znj. Ines Mucostepa; Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Polonisë, z. Andrzej Arendarski; Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Indusrisë së Tiranës, z. Nikolin Jaka; Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit të Shqipërisë, z. Agim Rrapaj; Shefja e Sektorit të Diplomacisë Ekonomike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Silvana Leskaj, si dhe 25 përfaqësues biznesesh nga Shqipëria, rreth 100 biznese polake dhe një numër i konsiderushëm i mediave.
Në fjalën e tyre, dy Kryeministrat ftuan bizneset të rrisnin edhe më shumë potencialin e marrëdhënieve ekonomiko dhe tregtare mes dy vendeve. KM Rama, në fjalën e tij përmendi interesin mbi turizmin në Shqipëri, ku vetëm në periudhën janar-tetor të këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar 74% më shumë turistë polakë se vitin e shkuar, dhe se shifra pritet të vazhdojë të rritet në vitin 2018. KM Rama ftoi gjithashtu biznesin polak për të të bërë tregëti dhe për të investuar në Shqipëri, sidomos në fushën e bujqësisë, turizmit, infrastrukturës, etj.
Gjatë Forumit dhe në praninë e Kryeministrave Rama dhe Szydlo u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi midis Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Dhomës së Tregtisë së Polonisë. Në përfundim të paneleve, bizneset patën mundësi të zhvillonin takime B2B.