Szydlo: KE do njohë progresin e Shqipërisë, duke hapur negociatat për anëtarësim

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Varshavë, Poloni, ku pati bisedime me homologen Beata Swydlo për avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.  

Mbi çështjet e diskutuara në takim, dy Kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Kryeministri Edi Rama: Së pari, dëshiroj të falënderoj me gjithë zemër Kryeministren për ftesën dhe për pritjen shumë miqësore që na ka rezervuar dhe po ashtu, për gatishmërinë që ka shprehur për të na ndihmuar në fusha ku Polonia, e rilindur pas diktaturës komuniste dhe tanimë tërësisht e integruar në BE, ka hedhur hapa të jashtëzakonshëm.

Përfitoj nga rasti që t’ju uroj për përvjetorin e lindjes së babait të rilindjes së kombit polak, Józef Piłsudski.

Nga ana tjetër, dua të nënvizoj se kjo vizitë zhvillohet në një moment të veçantë për historinë e marrëdhënieve tona. Është  80 vjetori i vendosjes se këtyre marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe  Polonisë, për të cilat shtypi polak i kohës, në vitin 1937 thoshte se u rivendosën pas 500 vjetësh, duke iu referuar periudhës së aleancës mes heroit tonë kombëtar Skënderbeut dhe mbretit të atëhershëm të Polonisë dhe Hungarisë, Władysław III.

Me Kryeministren kemi ndarë plotësisht mendimin se ka një potencial të madh të pashfrytëzuar për zhvillimin e marrëdhëniet tona ekonomiko dhe tregtare. Në fjalën e saj, me plot të drejtë, Kryeministrja preku turizmin si një nga pikat më domethënëse të zhvillimeve të kohëve të fundit dhe unë jam shumë i kënaqur që ta  shfrytëzoj këtë  mundësi, për të ndarë me opinionin publik polak, faktin se në periudhën janar-tetor të këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar 74% më shumë turistë polakë se vitin e shkuar.

Në këtë kontekst i kam kërkuar Kryeministres që të inkurajojë kompaninë e fluturimeve polake për të konsideruar mundësinë e vendosjes së një linje direkte, e cila patjetër do të sillte përfitueshmëri të lartë dhe reciproke në këtë drejtim.

Po ashtu, kemi diskutuar edhe për propozimin e saj për konferencën e Tiranës, që ne e mirëpresim me falenderime dhe respekt, pasi e konsiderojmë Poloninë një model në ecurinë e saj, në zhvillimin e në transformimin e saj nga një vend i Perandorisë komuniste, në një prej vendeve me rrezatim të fortë në BE.

E patjetër që kemi qenë, jemi dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Polonisë për mbështetjen e vazhdueshme për të ardhmen europiane të vendit tonë dhe jam i bindur që Kryeministrja do të jetë një nga mbështetësit e mëdhenj të çeljes të negociatave të Shqipërisë me BE në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Po ashtu, ne e kemi pritur me shumë kënaqësi edhe gatishmërinë e Polonisë për t’u përfshirë në Procesin e Berlinit dhe për të marrë stafetën e këtij procesi në vitin 2019. Ne jemi shumë të vendosur, përveçse shumë të interesuar që t’i zhvillojmë më tutje këto marrëdhënie.

E fundit, por jo për nga rëndësia, jemi edhe partnerë në Aleancën e NATO-s,  dhe gjithashtu në këtë fushë kemi shumë për të mësuar nga shembulli i Polonisë.

Prandaj, Zonja Kryeministre, unë dua edhe njëherë t’u falënderoj publikisht për këtë mundësi që na dhatë, për t’u takuar sot dhe për të biseduar së bashku edhe për angazhimin tuaj të drejtpërdrejtë, për t’i dhënë jetë një procesi shkëmbimesh mes bizneseve dhe për të qenë e pranishme, qoftë në Forumin e Biznesit që organizuam sëbashku në Tiranë, qoftë në Forumin e Biznesit që është organizuar dhe do të zhvillohet pas pak, këtu në Varshavë.

Me dëshirën dhe me urimin që t’ju kemi përsëri në Shqipëri dhe që të kemi sa  më shumë akoma vizitorë nga vendi juaj në vendin tonë, unë dua t’u them se kjo është një ditë vërtetë e rëndësishme për ne të gjithë këtu, si delegacion, por edhe për Shqipërinë, pasi është një ditë ku nënvizohet fort një marrëdhënie e shkëlqyer dhe shumë e rëndësishme për ne shqiptarët.

Kryeministrja Beata Swydlo: Pikë së pari, falenderoj Zotin Kryeministër Rama për vizitën e tij në Poloni. Ky vit përkon me 80-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Biseduam ditën e sotme mbi marrëdhëniet tona të ndërsjella, të cilat janë shumë të mira. Do të vazhdojmë të punojmë, të eksplorojmë mënyra të reja bashkëpunimi për thellimin e mëtejshme të kësaj marrëdhënieje. E gjithashtu folëm për mundësinë e shtrirjes së bashkëpunimit tone edhe në fusha të reja.

Bashkëbiseduam edhe për Forumin polako-shqiptar të Biznesit. Shqipëria është një vend gjithmonë e më i preferuar nga polakët si një destinacion turistik. Turistët polakë konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion shumë interesant dhe sektori i turizmit ofron një hapësirë të madhe bashkëpunimi, në interesin e ndërsjellë të dy vendeve tona.

Po ashtu, folëm në takimin tonë mbi mbështetjen e Polonisë për reformën e drejtësisë, një reformë thelbësore dhe për rritjen e investimeve polake në Shqipëri. 

Të gjitha këto janë të një rëndësie të veçantë e do të kemi shansin të flasim edhe me më shumë detaje në këtë forum.

Me këtë rast biseduam edhe për punën e përbashkët në përgatitjen e Shqipërisë për procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne kemi një përvojë të gjatë dhe ekspertë të vlefshëm në fushën e integrimit europian. Jemi të gatshëm të ndajmë të gjithë këtë përvojë me Shqipërinë, teksa kam po ashtu, shpresën se Komisioni Europian do të njohë progresin e bërë nga Shqipëria, duke përcaktuar një datë të qartë të fillimit të negociatave. 

Shpreha gatishmërinë time për të asistuar Shqipërinë edhe në reforma të tjera kyçe, si ajo në administratën publike. Ndërsa folëm edhe për vijimin e këtij forumi ekonomik edhe në Tiranë.

Edhe një herë më shumë, falenderoj Zotin Kryeministër për vizitën e tij në Poloni, për bisedën shumë të këndshme që zhvilluam dhe kam besimin se do të vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin e ndërsjellë, mbi bazën e piketave të vendosura këtu, ditën e sotme.

Ju falenderoj shumë! 

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ul. .Altowa 1, 02-386
Warszawa,Poland

Tel / Fax

Tel.: +48 22 824 14 27
Fax.:+48 22 824 14 26
Raste urgjente: +48 501194910

E-MAIL


ambasada@albania.waw.pl
embassy.warsaw@mfa.gov.al

'

Orari zyrtar

E hënë- E enjte
08:30 - 17:00
E premte
08:30 - 14:30