Vijon punimet Konferenca e Ambasadorëve në MPJ

Gjatë ditës së dytë të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve, krerët e përfaqësive të RSH-së në botë morën pjesë në tre panele tematike, të cilat kishin si synim diskutimin e temave më të rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare.

Në panelin e parë kushtuar perspektivēs sē integrimit të Ballkanit Perëndimor, folës kryesorë ishin Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, Ana Palacio, Anëtare e Këshillit të Shtetit të Spanjës, Arta Dade, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Majlinda Bregu, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian dhe Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian si dhe Goran Svilanović, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Panelistët u ndalën në dinamikat e brendshme në BE dhe tek përparimi i procesit të integrimit në BE, si objektiv themelor qytetarëve shqiptarë.

Paneli i dytë me temë “Plotësimi i mangësive në arkitekturën tonë të sigurisë” kishte si folës kryesorë Enver Hoxhaj, Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes, Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë, Ernst Reichel, i Dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe vendet anëtare të EFTA-s dhe Sandër Lleshi, Këshilltar i Kryeministrit për Çështjet e Sigurisë. Ata u ndalën në sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria dhe rajoni, në kontekstin e një mjedisi ndërkombëtar kompleks, multipolar dhe të ndërvarur dhe mundësitë e vendit në raport me rritjen e sigurisë, në kuadër të strukturave trans-atlantike. Ministri Hoxhaj u ndal në zhvillimet më të fundit në rajon, dhe në rëndësinë që ka thellimi dhe intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në kuadër të Partneritetit Strategjik midis të dy vendeve. Siguria energjetike dhe rolin e saj gjithnjë e më ndikues në arkitekturën e sigurisë në kontinent, ishin në fokus të këtij paneli.

Paneli i tretë i Konferencës me temë “Rishfaqja e aktorëve të tretë në Evropën Juglindore’ kishte si folës kryesorë Selim Belortaja, Zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme, François Heisbourg, Kryetar i Këshillit të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, Andrey Kortunov, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit Rus të Çështjeve Ndërkombëtare, John Rendon, CEO, Rendon Group dhe Sinan Ülgen, Kryetar Ekzekutiv, Qendra për Studime Ekonomike dhe të Politikës së Jashtme (EDAM). Bashkëbiseduesit u ndalën në gjithëpërfshirjen gjithnjë në rritje të bashkëpunimit rajonal dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe interesin gjithnjë në rritje të aktorëve tradicionalë dhe jo-tradicionalë nga jashtë rajonit. 

Gjatë punimeve të ditës së dytë të Konferencës, krerët e përfaqësive të RSH-së në botë u pritën në një takim të veçantë nga Kryeministri Edi Rama, dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.  Në fjalën e tij me Ambasadoret Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë gjatë 24 muajve të fundit nga diplomacia shqiptare, si dhe zhvillimet, parimet themelore dhe objektivat e politikës së jashtme të vendit, raportet me fqinjët, kontributin që mund të japë diplomacia në funksion të zhvillimit të vendit.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ul. .Altowa 1, 02-386
Warszawa,Poland

Tel / Fax

Tel.: +48 22 824 14 27
Fax.:+48 22 824 14 26
Raste urgjente: +48 501194910

E-MAIL


ambasada@albania.waw.pl
embassy.warsaw@mfa.gov.al

'

Orari zyrtar

E hënë- E enjte
08:30 - 17:00
E premte
08:30 - 14:30