Hapet zyra e Këshillit Kombëtar në Medvegjë/ Cakaj: Ka qenë detyrim kombëtar i kahmotshëm

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi në Facebook, bëri me dije se sot, me mbështetjen e drejtpërdrejtë politike, financiare dhe institucionale të Shqipërisë, për herë të parë është hapur zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë.
Kjo zyrë, siç thekson edhe Cakaj në postim, do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen dhe lartësimin e të drejtave themelore të shqiptarëve në Medvegjë.
Më tej Cakaj shprehet se hapja e kësaj zyre ka qenë detyrim kombëtar i kahmotshëm i Shqipërisë, por tani është edhe imponim i disa rrethanave politike: procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve ka zvogëluar dukshëm peshën politike të faktorit shqiptar në Medvegjë.
“Kjo zyrë, në bashkërendim të plotë me Shqipërinë, duhet të punojë fort në kundërshtimin e politikave të fshirjes krejtësisht të qëllimshme të adresave të shqiptarëve.”- shkroi Kryediplomati Cakaj në postim.
Gjithashtu, Cakaj pohon se Medvegja është pjesë e patjetërsueshme e Luginës së Preshevës dhe puna për mbështetjen e faktorit shqiptar në këtë qytet do të vazhdojë me përkushtim të plotë.
“Shumë shpejt do të fillojmë edhe me programin e plotësimit të shkollave me literaturë shqipe dhe trajnimit të mësuesve shqiptarë në Medvegjë.”- informoi Ministri në detyrë Cakaj.
Ai përfundoi reagimin e tij, duke shprehur se mbështetja politike dhe institucionale për të gjithë shqiptarët në rajon është dhe do të jetë e vazhdueshme.
11/12/2020

Adresa

Ambasada Shqiptare
Str.Duiliu Zamfirescu no.7,
Sector1 , Bucuresti

Tel / Fax

Tel.: +40212119829
Fax.: +40212108039
Numri i emergjences: +40756127787

E-MAIL

embassy.bucharest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00