Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit, mbajtur në Varshavë të Polonisë, u shpreh se investimi për një Ballkan Perëndimor më të integruar e më të zhvilluar është në interesin e vetë Bashkimit Evropian.
“Investimi i gjithanshëm politik, ekonomik, social dhe kulturor në Ballkanin Perëndimor, i kurorëzuar me integrimin në BE, është në interesin e përbashkët të të gjithëve, përfshi Evropën, për një kontinent të paqtë, të lirë dhe me një të ardhme më të begatë,” u shpreh Cakaj.
Duke u ndalur në rolin e Shqipërisë në marrëdhëniet me fqinjët dhe rajonin, Ministri Cakaj vuri në dukje se Shqipëria ka në qendër të politikës së saj rajonale eliminimin e të gjitha problemeve me fqinjët dhe rritjen e bashkëpunimit kapilar në platforma dy, tre dhe shumëpalëshe.
Cakaj përmendi takimet ndërqeveritare që Shqipëria ka mbajtur me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si dhe takime tre dhe katërpalëshe me vendet e rajonit si shembuj të një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe fryme rajonale të zhvillimit në Ballkanin Perëndimor.
Duke e vlerësuar Procesin e Berlinit si një nismë komplementare ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit në tërësi, Ministri në Detyrë Cakaj theksoi se “Procesi i Berlinit përpos aspektit teknik të bashkëpunimit nëpërmjet projekteve rajonale të infrastrukturës, energjetikës, konektivitetit etj, përmban edhe rëndësinë e dialogut politik”, i cili sipas Cakaj duhet të ngrihet në lartësinë e bashkëpunimit të sinqertë rajonal.
“Nevojitet që ky Proces të rivitalizohet dhe të ngrihet në nivelin e modelit që ofroi marrëveshja e Prespës, arritur së fundmi mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vlerësoj se ky model do të ofronte sukses të konsiderueshëm edhe sa i takon dialogut të Kosovës me Serbinë.”
Në takimin e organizuar nga Presidenca Polake e Procesit të Berlinit, morën pjesë, ndër të tjerë, edhe zyrtarë të Komisionit Evropian, të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, dhe të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO).
Aktiviteti, si parapërgatitje e Samitit të Poznan-it kushtuar Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohet më 4-5 korrik 2019, u fokusua në mënyrë të veçantë tek situata e rinisë në Ballkanin Perëndimor, çështjet e hapura dypalëshe mes vendeve të rajonit, si edhe tek pritshmëritë e vendeve pjesëmarrëse ndaj Presidencës Polake të këtij procesi.