Ministri në Detyrë Cakaj takon Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Jagland: Vendet anëtare të kontribuojnë për forcimin e Organizatës.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, Thorbjorn Jagland, në margjinat e ministerialit të Këshillit të Evropës.
Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se për forcimin e karakterit pan-Evropian të kësaj organizate, për tejkalimin e problematikave institucionale, politike dhe financiare, nevojitet kontributi i përbashkët i të gjitha vendeve anëtare.
Ministri në Detyrë Gent Cakaj i bëri me dije Sekretarit të Përgjithshëm të KiE përfshirjen e Shqipërisë në reforma të brendshme të thella e të rëndësishme në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, për çka ka pasur edhe ndihmën dhe mbështetjen e Këshillit të Evropës.
Gjithashtu Ministri në Detyrë Cakaj e informoi mbi punën që po bëhet nga qeveria shqiptare për realizimin e disa objektivave dhe prioriteteve të politikës së jashtme siç janë integrimi evropian, kryesia e OSBE-së 2020 dhe marrja e një vendi jo permanent në Këshillin e Sigurimit.
Duke iu referuar kontributit që Këshilli i Evropës jep në rajonin e Ballkanit, ku Sekretari i Përgjithshëm Jagland ka pasur një rol të veçantë, Ministri në Detyrë Gent Cakaj i bëri me dije bashkëbiseduesit të tij se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë i shërben mbrojtjes së vlerave të organizatës, zhvillimit të standardeve lidhur me të drejtat themelore dhe përbën një vlerë të shtuar për organizatën në terësi.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Jagland, mbyll mandatin e tij të dytë në vjeshtën e këtij viti, për çka Ministri në Detyrë Cakaj e falënderoi për kontributin e dhënë në drejtimin e organizatës dhe tejkalimin e problematikave dhe sfidave me të cilat ajo përballet nëpërmjet politikave reformuese.
Sekretari i Përgjithshëm e falënderoi Ministrin në Detyrë Cakaj për rolin pozitiv që vendi ynë ka luajtur, vlerësimet mbi raportin e tij rreth sfidave të ardhshme të Këshillit si dhe e përgëzoi për reformat e ndërmarra nga vendi ynë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Str.Duiliu Zamfirescu no.7,
Sector1 , Bucuresti

Tel / Fax

Tel.: +40212119829
Fax.: +40212108039
Numri i emergjences: +40756127787

E-MAIL

embassy.bucharest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00