Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest.
Diskutimet u fokusuan tek procesi i integrimit evropian, si dhe në bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh .
Ministri në Detyrë, Gent Cakaj, duke shprehur vlerësimin për mbështetjen e qëndrueshme të Hungarisë për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian, e njohu Ministrin Szijaarto me progresin e bërë në drejtim të plotësimit të 5 prioriteteve kryesore. Ministri i Jashtëm i Hungarisë u shpreh se Bashkimi Evropian duhet t’i hapë negociatat me Shqipërinë në muajin qershor dhe se për Hungarinë shtyrja e vendimit do të ishte e papranueshme.
Duke theksuar rëndësinë e procesit të Zgjerimit dhe kredibilitetit të tij Péter Szijjártó shtoi se siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme dhe ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e Evropës Qendrore.
Nga ana e tij, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj deklaroi se Shqipëria mbetet shpresëplotë për hapjen e negociatave, kjo bazuar në rezultatet e arritura deri më sot nga zbatimi i Reformës në Drejtësi e deri tek Reforma në Administratën Publike.
Të dy Ministrat ndanë vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si në aspektin politik, edhe atë ekonomik dhe se vizita ka hapur mundësi të reja bashkëpunimi mes dy vendeve, në turizëm, në infrastrukturë, sa i përket trajtimit të ujërave e mbetjeve, si dhe në sistemin bankar, ku banka OTP do shërbejë si mekanizëm për thithjen e investimeve hungareze në Shqipëri. Hungaria po mbështet gjithashtu me ekspertizë Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.
Ministri në detyrë Cakaj dhe Ministri hungarez Szijjártó firmosën dy marrëveshje, Marrëveshjen për asistencë të përbashkët në fushën e përmirësimit të menaxhimit të mbetjeve, shërbimit publik të ujësjellësit, politikave për çështjet klimatike, menaxhimit të energjisë së rinovueshme dhe efiçencës së energjisë dhe Marrëveshjen për punësimin e ndërsjellë të familjarëve të diplomatëve me shërbim në vendet tona.
Në takim u shkëmbyen mendime edhe për kryesinë shqiptare të OSBE-së për vitin 2020 si dhe u ri konfirmua mbështetja e Hungarisë për kandidaturën e Shqipërisë për një vend të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023.