Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj gjatë vizitës së tij në Berlin, zhvilloi një takim me Ministrin gjerman të Shtetit për Çështje Evropiane, Michael Roth.
Bashkëbiseduesit vlerësuan partneritetin e ngushtë në funksion të forcimit të lidhjeve BE-Shqipëri për të cilin Ministri Roth u shpreh se perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, është një nga prioritetet kryesore të Gjermanisë.
Roth theksoi se Shqipëria është faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon dhe vendi duhet të vijojë punën e mirë të bërë deri tani me reformat e ndërmarra në lidhje me pesë prioritetet.
“Procesi i Vetingut në drejtësi është një reformë e jashtëzakonshme”, tha Ministri Roth.
“Gjermania ka të gjithë vullnetin e mirë të vijojë të asistojë Shqipërinë dhe si dashamirës i përhershëm i Shqipërisë, shpresoj për një vendim pozitiv në qershor 2019”, u shpreh Roth në takimin me Ministrin Cakaj.
Nga ana e tij, Ministri në Detyrë Cakaj, nënvizoi se Shqipëria dëshiron të intensifikojë bashkëpunimin me Gjermaninë si partner, në përmbushjen e të gjitha detyrave që i janë caktuar për t’u integruar në familjen evropiane.
Kryediplomati shqiptar Cakaj shprehu mirënjohjen e tij ndaj Ministrit Roth, për mbështetjen dhe vullnetin pozitiv që ai personalisht dhe qeveria gjermane kanë treguar në çdo hap të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.