Ministrja Xhaçka pret avionin e parë me qytetarët afganë: Krenare për solidaritetin e treguar nga shqiptarët, koordinuam një operacion humanitar në kohë rekord

27 Gusht 2021 - Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti mëngjesin e sotëm në aeroportin e Rinasit avionin e parë nga Kabuli me 121 qytetarë afganë, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.
Ministrja Xhaçka e konsideroi këtë si një moment shumë emocionues, teksa u shpreh e lehtësuar për mbërritjen e kontigjentit të parë të afganëve, jeta e të cilëve rrezikohej nga sulmet në Kabul. 
"Çdo qytetar shqiptar duhet të ndihet vërtet krenar sot, që edhe njëherë, ashtu siç kemi bërë në kushedi sa raste në historinë tonë, shqiptarët po tregojnë atë që është shpirti i vërtet i këtij populli, solidaritetin, mikpritjen, bujarinë. Këto kanë qenë ditë shumë intensive, me shumë punë për të koordinuar një operacion humanitar në një kohë rekord. Kemi bërë gjithçka, që t’i mirëpresim e t’u ofrojmë kushte sa më të mira e sa më dinjitoze jetese", u shpreh ministrja për mediat pas mbërritjes së avionit. 
Kryediplomatja shqiptare inspektoi edhe qendrën e pritjes së përkohshme ngritur në zonën ushtarake, teksa vlerësoi kontributin e efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, policisë kufitare dhe mjekëve e infermierëve. 
Sipas saj, Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4000 afganë përkohësisht, ndërsa grupi i parë që ka zbritur sot do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës. 
Kujtojmë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të dyja anëtare të NATO-s, si dhe Kosova, u dakordësuan me një propozim të administratës së Presidentit amerikan Joe Biden për të shërbyer si vende tranzitë për qytetarët afganë, destinacioni përfundimtar i të cilëve është SHBA.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Str.Duiliu Zamfirescu no.7,
Sector1 , Bucuresti

Tel / Fax

Tel.: +40212119829
Fax.: +40212108039
Numri i emergjences: +40 733368444

E-MAIL

embassy.bucharest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00