Ministrja Xhaçka takon kryetaren e radhës së OSBE: BE të reflektojë, progresi i dukshëm i rajonit nuk duhet anashkaluar

5 Tetor 2021 - Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim, Ministren e Jashtme të Suedisë, Ann Linde, e cila vizitoi Shqipërinë në cilësinë e kryetares së radhës së OSBE-së. 
Ministrja Xhaçka vlerësoi Kryesinë suedeze të OSBE-së në drejtimin e organizatës dhe për mbështetjen e treguar ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në realizmin e reformave të rëndësishme. 
“Rajoni ynë ka hedhur hapa shumë të mëdha përpara në rrugën e stabilizimit, zhvillimit e bashkëpunimit, por pavarësisht kësaj ka një paqartësi që vjen nga BE, lidhur me hapat e mëtejshme të rajonit në procesin e integrimit evropian. Dhe kjo paqartësi sigurisht, krahas dëmit që i bën reputacionit të BE, dëmton edhe paradigmën mbi të cilën është ngritur stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, angazhimi aktiv i Presidencës suedeze dhe vëmendja e treguar ndaj rajonit, është një mesazh, që sigurisht është lexuar siç duhet si një mesazh angazhimi e mbështetje”, u shpreh ministrja Xhaçka në deklaratën për mediat pas takimit. 
Ministrja Ann Linde nënvizoi mbështetjen e vendit të saj, Suedisë, për mbajtjen sa më parë të Konferencës së parë Ndërqeveritare, Shqipëri -BE. 
Njëherësh në cilësinë e kryetares së radhës, ajo shprehu vlerësimin e OSBE për reformat e ndërmarra nga Shqipëria. 
Me vizitat në Shqipëri dhe në Bosnjë & Hercegovinë, Ministrja Linde përmbyll turneun e saj në Ballkanin Perëndimor, i cili nisi në maj me Serbinë dhe Malin e Zi.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Str.Duiliu Zamfirescu no.7,
Sector1 , Bucuresti

Tel / Fax

Tel.: +40212119829
Fax.: +40212108039
Numri i emergjences: +40756127787

E-MAIL

embassy.bucharest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00