30 Gusht 2021 - Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe Ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim kanë inspektuar ditën e sotme ambientet e Qytet Studentit, për të parë nga afër kushtet e strehimit të 300 nga shtetasit afganë që kanë mbërritur ditët e fundit në Shqipëri.
Përmes një postimi në Twitter, Xhaçka shprehet se shumë partnerë e organizata ndërkombëtare po i bashkohen çdo ditë këtij operacioni të madh humanitar dhe se ndihemi krenarë për mikpritjen shqiptare.
"607 qytetarë afganë, burra, gra dhe fëmijë kanë gjetur sot një strehë të sigurt në Shqipëri. Sot me ambasadoren Kim vizituam familjet e vendosura prej 3 ditësh në qendrën akomoduese në Qytetin e Studentit, ndërsa shumë të tjerë janë sistemuar në Durrës dhe Lezhë. Shumë partnerë e organizata ndërkombëtare po bashkohen çdo ditë në këtë operacion të madh humanitar. Krenari për mikpritjen shqiptare! ", shkruan ministrja në postimin e saj.
Deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur 607 qytetarë afganë. Disa prej tyre jane strehuar në Durrës, disa në Shëngjin dhe të tjerë në godinat e Qytet Studentit.