24 Shtator 2021 - Në vijim të “Javës së diskutimeve të Nivelit të Lartë”, të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe delegacioni shqiptar, në përbërje të të cilit ishin Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare u pritën nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria beson fuqimisht në rolin e diplomacisë shumëpalëshe, teksa shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit me Guterres për të avancuar prioritetet e përbashkëta gjatë mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.
"Shqipëria ndan të njëjtën pikëpamje me Sekretarin e Përgjithshëm që parandalimi duhet të jetë motivi i diplomacisë shumëpalëshe në çdo fushë. Ne si mbështetës të fortë të një arene ndërkombëtare të bazuar në rregulla, besojmë fuqimisht në rolin e diplomacisë shumëpalëshe", tha ministrja Xhaçka mes të tjerash.