1 Qershor 2021 - Shqipëria, duke nisur nga 1 qershori 2021, merr Presidencën 1-vjeçare të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ) dhe Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR).
Vendi ynë e merr presidencën mbas Sllovenisë, një vend i Bashkimit Evropian dhe aktor i rëndësishëm për perspektivën euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor.
Presidenca e NAJ/EUSAIR vjen menjëherë pas Kryesimit të suksesshëm të OSBE-së, si dhe drejtimit të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, duke dëshmuar rolin konstruktiv në rritje të Shqipërisë në zhvillimet rajonale dhe më gjerë.
Shqipëria, përmes diplomacisë angazhuese dhe aksionit proaktiv projektohet si një faktor kontribues dhe nxitës për bashkëpunimin rajonal, përfshi edhe platforma të tilla si strategjitë makro-rajonale të Bashkimit Ervropian.
Presidenca shqiptare do të fokusohet në disa fusha si: rinia dhe gjithëpërfshirja, turizmi dhe kultura, promovimi i procesit të Integrimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërlidhja, digjitalizimi, etj. Presidenca shqiptare e NAJ/EUSAIR gjithashtu korrespondon në vitin 2022 me vitin kur Tirana është shpallur Kryeqyteti Evropian i Rinisë.
Bashkëpunimi rajonal është thelbësor në kuadër të Nismës NAJ dhe Strategjisë së BE-së EUSAIR, si dhe më gjerë në drejtim të proceseve integruese evropiane. Karakteri miks i Strategjise EUSAIR dhe bashkëpunimit ndër-qeveritar, si dhe ndërthurja me aktorët qeverisës të niveleve të ndryshme, u mundëson vendeve që janë në proces integrimi marrjen dhe zbatimin e vendimeve në të njëjtin nivel me vendet anëtare të BE-së.
Ndërlidhja e perspektivës financiare 2021-2027 me objektivat e Strategjisë, si dhe identifikimi i instrumenteve të mundshëm të financimit në kuadër të IPA III do të mundësojë financimin e një sërë projektesh në katër shtyllat kryesore të EUSAIR, duke filluar nga zhvillimi blu, mbrojtja e mjedisit, lidhja e rajonit si dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm.
Nisma Adriatiko Joniane (NAJ) u zyrtarizua në Ankona, Itali, në vitin 2000 dhe sot vendet anëtare të NAJ-it janë nëntë: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Italia, Serbia dhe Sllovenia. Ndërsa EUSAIR është një strategji makro-rajonale e hartuar nga Komisioni Evropian me qëllim promovimin e rritjes ekonomike dhe sociale në rajon, duke përmirësuar konkurrencën dhe ndërlidhjen e tij. Nisma NAJ së bashku me Strategjinë kanë si qëllim të kontribuojnë në integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.