Shqipëria zgjidhet për herë të parë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së me 176 vota

OKB-ja që nga themelimi i saj i ka kushtuar një rëndësi  të veçantë çështjeve të mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut të çdo individi kudo në botë. Përpjekjen e parë në këtë drejtim e dëshmon krijimi i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, i cili u themelua me anë të Kartës së Kombeve të Bashkuara për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo vend të botës. Por, ky Komision nuk arriti të përmbushte pritshmërinë e vendeve anëtare të OKB-së lidhur me mandatin e tij dhe në fillim të shekullit 21 u bë e qartë se atij i  mungonte kredibiliteti dhe aftësia për të vepruar. Në përpjekje për të rifituar reputacionin e OKB-së në fushën e të drejtave të njeriut, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u miratua rezoluta 60/251 për të zëvendësuar Komisionin me Këshillin e të Drejtave të Njeriut(KDNJ).Këshilli u krijua në mars të vitit 2006  dhe filloi punë në qershor 2006, duke u kthyer kështu në një organ shumë të rëndësishëm në kuadër të Kombeve të Bashkuara për adresimin e çështjeve të të drejtave të njeriut. KDNJ është një organ ndër-qeveritar i OKB-së, 47 vendet anëtare të të cilit janë përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë pavarësisht kombësisë, vendbanimit, gjinisë, ngjyrës, fesë, gjuhës, apo ndonjë statusi tjetër.Në tetor 2009 Shqipëria shpalli zyrtarisht kandidaturën e saj për anëtar në KDNJ për periudhën 2015-2017. Në zgjedhjet që u zhvilluan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork në 21 tetor 2014, Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare e KDNJ, me 176 vota. Gjatë vitit 2015, Shqipëria është zgjedhur edhe anëtare e Byrosë së KDNJ-së si dhe zëvendës-presidente e KDNJ-së, si përfaqësuese e grupit të Evropës Lindore.Anëtarësimi në Këshillin e të Drejtave të Njeriut nënkupton për Shqipërinë njohjen e rrugës së gjatë që vendi ynë ka ndërmarrë në drejtim të realizimit të parimeve të lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, si dhe shërben si një stimul i fortë për të vazhduar me vendosmëri rrugën për ndërtimin e një shoqërie të hapur dhe demokratike.Zgjedhja e Shqipërisë në KDNJ përbën njëherazi vlerësim dhe garanci për angazhimin e saj të përhershëm në çështjet e të drejtave të njeriut në të gjitha frontet. Shqipëria ka shumë për t’i ofruar botës nëpërmjet vlerave që e karakterizojnë si harmonia fetare, përkushtimi për fqinjësi të mirë, toleranca dhe mikpritja, si dhe nëpërmjet përvojës së përftuar gjatë reformimit të gjithanshëm që ka kaluar vendi.Për më shumë informacion ju ftojmë të vizitoni Portalin e të Drejtave të Njeriut.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Str.Duiliu Zamfirescu no.7,
Sector1 , Bucuresti

Tel / Fax

Tel.: +40212119829
Fax.: +40212108039
Numri i emergjences: +40756127787

E-MAIL

embassy.bucharest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00