Sllovaki, Cakaj në ministerialin e ministrave të Jashtëm të OSBE: Shqipëria po përgatitet për kryesimin e organizatës vitin e ardhshëm

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së që u zhvillua në Malet e Tatras, në kuadër të Kryesisë sllovake.
Nën moton “Nga veprimet e shkuara, në parandalimet e ardhshme: promovimi i stabilitetit në Evropë dhe më gjerë nën strehën e OSBE-së”, ministrat pjesëmarrës diskutuan mbi të ardhmen e punës së OSBE-së, në një dinamikë të ndryshueshme por në kontekstin shumëpalësh.
“Mbledhja u përqëndrua kryesisht në diskutimet e shteteve pjesëmarrëse mbi praktikat efektive të parandalimit, menaxhimit dhe zgjidhjes së konflikteve dhe zhvillimit të multilateralizmit efektiv në tërësi.” shprehet Ministri Cakaj në rrjetin e tij facebook.
Cakaj thotë  se “Ky takim ishte veçanërisht i vyer për t’i informuar vendet pjesëmarrëse të OSBE-së për përgatitjet e Shqipërisë në marrjen e Kryesisë në vitin 2020 në tre vektorë kryesorë: politik, burime njerëzore dhe logjistik-financiar”
Ministri në Detyrë Cakaj u fokusua tek Kryesia e 2020, ku pasi bëri një ekspoze të shkurtër të prioriteteve tona, evidentoi faktin se, si pjesë e Trojkës dhe Kryesuese e Grupit të Mesdheut, Shqipëria çdo ditë e më shumë po dëshmon besueshmërinë shtetërore dhe kapacitetin e saj për veprim efektiv ndërkombëtar.
“Shqipëria disponon kapacitetet e patjetërsueshme për të marrë kryesinë e Organizatës 57 anëtarëshe, përgjegjëse për një numër të konsiderueshëm çështjesh politike-ushtarake, ekonomike-mjedisore dhe të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore nga Vankuveri deri në Vladivostok” shprehet Cakaj.
Ky aktivitet ishte një mundësi e mirë për dialogun e vërtetë dhe interaktiv të Ministrave të Jashtëm të rajonit të OSBE-së.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Str.Duiliu Zamfirescu no.7,
Sector1 , Bucuresti

Tel / Fax

Tel.: +40212119829
Fax.: +40212108039
Numri i emergjences: +40 733368444

E-MAIL

embassy.bucharest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00