Takime dypalëshe të Ministrit në detyrë Gent Cakaj gjatë vizitës në Bukuresht

Bukuresht, Shkurt 2019 - Në kuadër të pjesëmarrjes në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, i cili  zhvillohet në Bukuresht më 31 janar – 1 shkurt, Ministri në detyrë Gent Cakaj zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe në Rumani, vend i cili mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
Në takimin me Ministrin rumun të Shtetit për Çështjet Evropiane George Ciamba, diskutimet u përqendruan në mbështetjen e Presidencës rumune të Këshillit të BE-së për axhendën evropiane të Shqipërisë.
Ministri në detyrë Cakaj, shprehu vlerësimin e lartë për  përparësinë që programi i Presidencës rumune të BE-së i kushton procesit të zgjerimit të Unionit në Ballkanin Perëndimor. Pasi nënvizoi arritjet e deritanishme në procesin e reformave që lidhen me konsolidimin e shtetit ligjor  dhe me përparësitë kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, Ministri në detyrë Cakaj shprehu angazhimin e vendosur për thellimin e tyre. Çelja e bisedimeve të anëtarësimit, u shpreh Cakaj, përveç se njohje e merituar e arritjeve në plotësimin e përparësive kyçe, do të jetë edhe një busull orientuese për më tej.
Ministri Ciamba vlerësoi arritjet e Shqipërisë në reformat e brendshme, si dhe rolin kontruktiv në rajon. Mbi këtë bazë, Ministri Ciamba shprehu vendosmërinë e Presidencës rumune të Këshillit të BE-së për të mbështetur avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu edhe mundësitë e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Rumanisë.
Ministri në detyrë Cakaj zhvilloi gjithashtu  takime në Parlamentin rumun me Kryetarin e Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme Cristian Dumitrescu dhe Zëvendës Presidentin e Dhomës së Deputetëve dhe Zëvendës Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Dhomës së Deputetëve Ben-Oni Ardelean. Në fokus të takimeve ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe diplomacisë parlamentare.
Po ashtu, në këto takime u nënvizua progresi i arritur i Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian dhe mbështetja e Presidencës rumune për të avancuar këtë proces më tutje.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Str.Duiliu Zamfirescu no.7,
Sector1 , Bucuresti

Tel / Fax

Tel.: +40212119829
Fax.: +40212108039
Numri i emergjences: +40756127787

E-MAIL

embassy.bucharest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00