Xhaçka në krye të MEPJ, Rama: Të tjera arritje në diplomaci

5 janar 2021 - U zhvillua në MEPJ ceremonia e dorëzimit të detyrës të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Pas gati dy vjet në krye të këtij dikasteri, Gent Cakaj i’a ka dorëzuar Olta Xhaçkës detyrën e ministrit të MEPJ.
Gjatë ceremonisë së organizuar me stafin diplomatik, Ministri në Detyrë, Gent Cakaj u shpreh se, nga dita e sotme nuk do të jetë thjesht një paraardhës politik i Xhaçkës, por mbështetësi më i madh i saj që ajo ta përfaqësojë Shqipërinë denjësisht e me shkëlqim të plotë.
“Mbetem tepër krenar e ballëlartë për të gjitha arritjet e këtyre viteve të fundit në krye të MEPJ, duke përfshirë këtu forcimin e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për punën e jashtëzakonshme në Luginën e Preshevës dhe ngritjen e pashembullt të zërit në mbrojtje të Republikës së Kosovës, vendimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE, kryesinë e sukseshme të OSBE-së dhe afrimin historik për marrjen e ulëses jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023”, u shpreh Cakaj.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, ka falënderuar Gent Cakaj, i cili sipas tij ia doli mbanë në punën e bërë pavarësisht ngërçit absurd në krye të marrjes së detyrës.
“Jam shumë i lehtësuar sot që këtë angazhim mund tja kaloj Oltës dhe për të cilin, kalim më i miri që kemi pasur jo vetëm një dakordësi por edhe një qasje të përbashkët me Gentin, ministria ka nevojë që të ketë në krye një drejtues me funksion të plotë jo vetëm përmbajtësor, por edhe formal pasi nga sfida e kapërcyer me shumë sukses, ç’ka është botërisht fakt i mirënjohur i kryesimit të OSBE, na duhet të përgatisim dhe t’ja dalim deri në fund”, u shpreh Rama.
Ministrja Xhaçka, falënderoi Kryeministrin Rama për besimin në detyrën e ngarkuar dhe vlerësoi kontributin e paraardhësit, Gent Cakaj për kontributin në MEPJ.
“Aq sa eksperienca e madhe është një aset i vyer në një institucion si ky, po aq rutina është një problem i madh kur duhen kapercyer barriera të reja e duhen bërë punë të reja, siç është edhe puna me integrimin europian Kryenegociatori duhet të marrë jo vetëm përgjegjësinë që e ka marrë, po edhe mbështetjen e plotë nga zinxhiri i punës me integrimin në këtë ministri, duke u koordinuar prej tij dhe duke u përgjigjur para tij.
Nga kryeministri kam mësuar se asnjëherë nuk është mjaft ajo që bëjmë dhe se gjithnjë ka më shumë për të përmirësuar se sa për t’u kenaqur me atë që kemi bërë. Ndaj besoj fort se kjo ministri duhet të shkëlqejë në çdo drejtim, sepse është shembëlltyra e shtetit shqiptar në sytë e të huajve dhe të shqiptarëve jashtë kufijve.
Shkëlqimi i Shqipërisë në krye të OSBE është një mësim i madh për sa shumë mund të bëjmë nëse organizohemi si duhet, nëse koordinohemi si duhet, nëse përformojmë si duhet. I njëjtë duhet të jetë edhe shkëlqimi në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria do të ulet për herë të parë në historinë e saj pas nje viti”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Str.Duiliu Zamfirescu no.7,
Sector1 , Bucuresti

Tel / Fax

Tel.: +40212119829
Fax.: +40212108039
Numri i emergjences: +40756127787

E-MAIL

embassy.bucharest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00