Zhvillohet ceremonia e dorëzimit të detyrës së Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme

Tiranë, Janar 2019 - U zhvillua në MEPJ ceremonia e dorëzimit të detyrës të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Pas pesë vjet e gjysmë në krye të këtij dikasteri, Ditmir Bushati i’a ka dorëzuar Kryeministrit Edi Rama detyrën e ministrit të MEPJ.
Gjatë ceremonisë së organizuar me stafin diplomatik, ministri Bushati vuri në dukje arritjet disa vjeçare në krye të këtij dikasteri si dhe falënderoi të gjithë ekipin e ministrisë për punën dhe bashkëpunimin e frytshëm ndër vite. “Edhe pse nuk do të jem më pjesë e punës së përditshme, ndjehem me fat që do të jem pjesë e historisë së këtij institucioni”, tha Bushati në fjalën e tij përshëndetëse. “Që në ditën e parë të detyrës, jam mbështetur në tre vlera: Integritet, besim dhe respekt”, u shpreh ai.  Ministria që po lë pas është shumë herë më e mirë dhe solide për t’u përballur me sfidat e kohës se ç‘ishte 5 vjet e gjysmë më parë”, tha Bushati. Për Bushatin, asnjë nga këto arritje nuk do të ishin mundësuar pa besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe të kolegëve të kabinetit qeveritar.
Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Edi Rama, duke theksuar se po mbante fjalën më të shkurtër në jetën e tij, i delegoi zyrtarisht drejtimin dhe të gjitha kompetencat e MEPJ-së Zëvendësministrit Gent Cakaj. Cakaj, tha Rama, do të jetë kryediplomat i Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit.
Zëvendësministri Gent Cakaj, në pozicionin e drejtuesit të këtij institucioni kyç të shtetit shqiptar, me kompetenca të deleguara nga vetë zoti Rama, e konsideroi si një start goxha të garantuar fillimin e punës në pozicionin e ri.
“Falënderoj Kryeministrin Rama për besimin e dhënë dhe kujdesin e treguar ndaj meje në çdo hap” u shpreh z. Cakaj. Ai garantoi se nuk do të ketë asnjë ndryshim objektivash strategjikë dhe politikë të Qeverisë shqiptare, në kuadrin e politikës së saj të Jashtme.
“Me energji të reja dhe qasje proaktive, ne do të vazhdojmë, pa asnjë diskutim të shtyjmë para, edhe me më shumë pasion e me më tepër vullnet, rrugën drejt integrimit rajonal, duke forcuar profilin e Shqipërisë, si një aktor aktiv dhe dinamik, me peshë të pamohueshme e subjekt qendror që dëgjohet me vëmendje nga të gjithë dhe trajtohet me respekt nga secili”, u shpreh Cakaj.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Str.Duiliu Zamfirescu no.7,
Sector1 , Bucuresti

Tel / Fax

Tel.: +40212119829
Fax.: +40212108039
Numri i emergjences: +40756127787

E-MAIL

embassy.bucharest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00