Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Republikës së Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro Furxhi mori pjesë në punimet e Konferencës së 9-të Botërore me temë “Oqeani Ynë”, që u zhvillua në datat 16-17 prill 2024, në ambientet e Qendrës Kulturore të Fondacionit Stavros Niarchos.
Në këtë konferencë, me pjesëmarrës nga më shumë se 119 vende të botës, u riafirmua angazhimi i përbashkët për adresimin e sfidave kryesore me të cilat përballen detet dhe oqeanet tona, të lidhura kryesisht me: humbjen e biodiversitetit, ndryshimet klimatike, peshkimin e paqëndrueshëm, ndotjen detare – për të cilat u shkëmbyen ide dhe praktika efektive, si në aspektin ekologjik ashtu edhe në atë social-ekonomik, me objektiv “ekonominë blu”.
Në Panelin “Turizmi i qëndrueshëm dhe ekonomia blu”, Ministrja Kumbaro promovoi rezultatet në turizmin shqiptar dhe vizionin për një zhvillim të qëndrueshëm.
Gjithashtu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro Furxhi pati rastin të takohej me: Ministren e Turizmit, znj. Olga Kefalogianni; Ministrin e Mjedisit dhe Energjisë, z. Theodhoros Skylakakis; Kryetarin e Bashkisë së Athinës, z. Haris Doukas, etj. – në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.