Edhe këtë vit ambientet e Divani Caravel Hotel u zbukuruan me ngjyrat kombëtare shqiptare. Mbi 500 të ftuar u mikpritën nga vajza të veshura me veshje tradicionale dhe shijuan një mbrëmje emocionuese artistike, me një repertor të gjerë nga të gjjtha trevat shqiptare, me debutimin e artistëve të talentuar, violinistit Olen Cezari dhe këngëtareve Marsela Çibukaj dhe Lavinia Mancusi.
Një përshëndetje të veçantë nga Tirana i drejtuan të pranishmëve Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka dhe Kryebashkiaku z. Erion Veliaj.
Këtë vit nderoi me prezencën dhe fjalën e saj Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme për Diasporën, znj. Artemis Malo.
Mikpritësja e këtij aktiviteti, Ambasadorja e RSH-së në Athinë, znj. Luela Hajdaraga në fjalën përshëndetëse theksoi rëndësinë e këtyre datave të shënuara për vendin, si dhe rolin e vyer të komunitetit shqiptar në Greqi për ruajtjen dhe përçimin ndër breza të gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar jashtë kufijve. Përgëzime të veçanta gjithashtu drejtoi ndaj komunitetit të biznesit shqiptar në Greqi, si katalizator zhvillimi ekonomik dhe shoqëror në të dy vendet. Në kuadër të bashkëpunimit Ambasadë-Komunitet, Ambasadorja Hajdaraga vlerësoi punën e kryer si dhe njoftoi mbi materializimin në kohë shumë të shkurtër të projektit të Qendrës Kulturore Shqiptare në Athinë dhe projekteve të tjera që kanë marrë rrugën e realizimit.
Në përfundim të ceremonisë festive, gjithë të pranishmit iu drejtuan Sheshit Omonia, i cili për të dytin vit rradhazi u ndriçua nga Bashkia Athinë me ngjyrat kuq e zi.
Gëzuar për shumë mote!