Ambasadori z. Bujar DIDA priti sot në një takim pune, anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë zj. Toshiko ABE (Ph.D).
Në fillim të takimit, Ambasadori DIDA vlerësoi rëndësinë e vizitës historike të grupit të parlamentarëve Japonezë të Dhomës së Përfaqësuesve, kryesuar nga Kryetari z. IBUKI, që vizituan Tiranën në datat 19-21 Gusht 2014. Ai shprehu mirënjohjen për rolin mbështetës të parlamentarëve japonezë në planin e bashkëpunimit dypalësh si edhe si një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit parlamentar.
Zj. ABE falenderoi për pritjen e organizuar në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë u ndal në vlerësimin e mikpritjes shqiptare si edhe në shijen bio të produkteve shqiptare si peshku dhe zarzavatet. Ajo u shpreh se pret që investitorët japonezë do të vlerësojnë dhe njohin Shqipërinë fillimisht përmes investimeve në konfeksionimin e këtyre produkteve që hapin një mundësi për zhvillimin e projekteve të ardhshme. Pjesë e vlerësimit të saj ishin edhe projektet konkrete të realizuara dhe në funksionim në fushën e shëndetsisë, të realizuara nga JICA, Agjensia e Bashkëpunimit Teknik Japonez.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në fushën e diplomacisë parlamentare dhe angazhimin e mëtejshëm të kësaj diplomacie si shtytëse e projekteve konkrete me ODA, JICA dhe organizmat e tjerë, si edhe mbështetjen konkrete që grupi parlamentar i Miqësisë Japoni-Shqipëri do të japë në vijim në çështjet e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë.