Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama priti sot në një takim Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, zotin Bunmei Ibuki, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë së bashku me delegacionin parlamentar që e shoqëron.
Kryeministri Rama vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Japonisë dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare që bashkëpunimi mes vendeve të njohë dimensione të reja në të ardhmen. Duke ftuar investitorët japonezë të zbulojnë potencialet që Shqipëria ofron në sektorë si bujqësi, turizëm, etj, Kryeministri theksoi se interesi i investitorëve të huaj, për vendin tonë është rritur ndjeshëm së fundmi, si rezultat i politikave mbështetëse të qeverisë shqiptare dhe lehtësive që garantohen për ta.
Nga ana e tij, Kryeparlamentari japonez vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në fusha të rëndësishme dhe arritjet në konsolidimin e demokracisë e forcimin e shtetit ligjor. Zoti Ibuki u shpreh se kjo vizitë dhe takimet e përbashkëta do të shërbejnë për identifikimin dhe zhvillimin e hapësirave të reja bashkëpunuese në sektorë të ndryshëm. Ai theksoi se Japonia është e gatshme të mbështesë përmes projekteve të përbashkëta në fusha me interes për të dy vendet.