Me rastin e 90-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri – Japoni, në datën 15 Dhjetor 2012, ora 19:00-21:00, Ambasada në bashkëpunim me këngëtarët lirikë tenorin Koxhi Ohashi dhe sopranon Ko Nakaxhima, organizuan në sallën e koncerteve të Hibiyas koncertin recital me këngë lirike të autorëve të njohur të huaj, japoneze dhe shqiptare. Në repertorin e programit, krahas lirikave dhe operave të autorëve botërorë si Mozzart, Donizetti, Puccini, Rossini, Thomas, u interpretuan në shqip “Himni i Flamurit” dhe lirikat e njohura shqiptare “As'aman o trandafil i çelës” dhe “Kur me vjen burri nga stani”. Interpretimi i “Himnit të Flamurit” bashkoi së bashku komunitetin shqiptar të vendosur në ndënjeset e para së bashku me këngëtarët lirikë dhe publikun duke krijuar një atmosferë të veçantë që shoqëroi më tej interpretimin e lirikave shqiptare. Për herë të parë publiku japonez u ekspozua me lirikat shqiptare të kënduara nga këngëtarë lirikë japonezë. Në sallë, krahas publikut, ishin ftuar mjaft ambasadorë dhe titullarë të MPJ të Japonisë që kanë mbuluar ose mbulojnë vëndin tonë, miq të shumtë japonezë apo të huaj të Shqipërisë në Tokio.