Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto takohet me Ministrin Japonez të Punëve të Jashtme, z. Koichiro Gemba

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, nisi turin e vizitave të tij zyrtare në Azi, ku vendqëndrimi i parë ishte Japonia. Gjatë vizitës në Japoni, Ministri Haxhinasto u prit në një takim të veçantë nga Ministri Japonez i Punëve të Jashtme, z. Koichiro Gemba. Kjo vizitë bëhet në përvjetorin e 20-të të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ndërsa duhet edhe një vit për të festuar 90- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.Në takim u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona, bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare, si dhe mbi zhvillimet në rajonet respektive të dy vendeve.Në fillim të takimit Ministri i Jashtëm Japonez z. Gemba falënderoi për mbështetjen që populli dhe qeveria shqiptare kanë dhënë pas ngjarjeve tragjike në Fukushima. Po ashtu, ai theksoi se kjo vizitë do të forcojë më tej marrëdhëniet midis dy vendeve. Japonia, tha z. Gemba mbështet reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, duke marrë parasysh që është edhe një vend anëtar i NATO-s. Në vazhdim, ai tha se Shqipëria ka një rëndësi të veçantë për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit.Në fjalën e vet, Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe shprehu falënderimin për ndihmën dhe asistencën që Japonia i ka dhënë Shqipërisë në këto dy dekadat e fundit. Veçanërisht, ai vlerësoi asistencën dhe ndihmën e dhënë nga Japonia nëpërmjet JICA-s dhe theksoi se tashmë ka ardhur koha që programet e asistencës dhe ndihmës të konkludohen dhe të kalohet në një fazë të re të investimeve direkte japoneze në ekonominë shqiptare. Ai nënvizoi përparësitë që ofron Shqipëria për investimet japoneze, si një vend me kontribute për paqen dhe stabilitetin në rajon, një vend me një pozicion gjeografik të favorshëm dhe që në të ardhmen do të jetë vend anëtar i BE-së. Investimi në Shqipëri nënkupton investim në një rajon më të gjerë, sepse Shqipëria është porta hyrëse për një treg rajonal, që po ecën me hapa të shpejtë drejt një integrimi rajonal dhe më tej drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ndër fushat që u identifikuan nga bashkëbiseduesit si fusha me interes të ndërsjellë veçojmë: energjetikën, burimet minerare natyrore, turizmin, infrastrukturën, bujqësinë, etj. Po ashtu, z. Haxhinasto theksoi se mbajtja e një forumi të përbashkët biznesi do të forcojë më tej bashkëpunimin midis komuniteteve të biznesit dhe do të ndihmojë në identifikimin e fushave dhe projekteve me interes të ndërsjellë.Një nga objektivat parësore të politikës së jashtme shqiptare, tha z. Haxhinasto, mbetet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptare, si dhe e të huajve në vendin tonë. Tashmë Shqipëria lëviz pa viza në zonën Shengen dhe ka nënshkruar një seri marrëveshjesh për lëvizjen pa viza me mjaft vende, së fundi edhe me Brazilin. Besoj, tha ai, se tashmë është koha që të hiqen vizat për shtetasit shqiptarë për të vizituar Japoninë. Shqiptarët, tha ai, udhëtojnë me dokumente biometrike të një shkalle mjaft të lartë të elementeve të sigurisë dhe është një popull që di të respektojë rregullat e lëvizjes së lirë, gjë e cila u vërtetua së fundmi me liberalizimin e vizave me vendet evropiane. Heqja e vizave, vazhdoi Ministri Haxhinasto, do të sjellë më afër dy popujt tanë, si dhe do të krijojë mundësi të mëdha bashkëpunimi për komunitetet e biznesit të dy vendeve.Ministri japonez, z. Gemba tha se duhet të punohet bashkërisht për të realizuar heqjen e vizave. Si hap të parë, tha ai, mund të realizojmë së shpejti dhënien e vizave me afate të gjata dhe me shumë-hyrje dalje, dhe si hap i dytë, do të jetë heqja e plotë e vizave. Dy bashkëbiseduesit shprehen angazhimin për të punuar së bashku për të realizuar heqjen e vizave, ndërsa theksuan se një gjë e tillë do të lehtësojë disa kategori të caktuara, veçanërisht komunitetin e biznesit dhe do të favorizojë shkëmbimet turistike.Më tej, z. Haxhinasto theksoi se forcimit të bashkëpunimit dypalësh në përgjithësi, dhe atij ekonomik dhe në fushën e turizmit në veçanti, do t’i shërbente hapja e ambasadës në Tiranë. Duke ndarë të njëjtin mendim, ministri i jashtëm japonez u shpreh se po konsiderohet seriozisht hapja e ambasadës japoneze në Tiranë.Po ashtu, në takim u diskutua për bashkëpunimin shumëpalësh, ku bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e këtij bashkëpunimi dhe mbështetjen reciproke të kandidaturave, veçanërisht në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria, tha z. Haxhinasto vlerëson rolin dhe kontributin e Japonisë në arenën globale dhe atë në kuadër të organizatave ndërkombëtare.Gjatë takimit, Ministri Haxhinasto theksoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe falënderoi z. Gemba për angazhimin e Japonisë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit. Ai tha se njohja e pavarësisë së Kosovës, për të cilën Japonia ka dhënë kontributin e saj të vlerësuar, ka forcuar paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë. Ai kërkoi që Japonia të mbështesë përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare.Në fund të takimit, ministri Haxhinasto ftoi Ministrin e Jashtëm të Japonisë z. Gemba për një vizitë në Tiranë, e cila do të korrespondonte me 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe me 100 vjetorin shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ftesë e cila u pranua me shumë kënaqësi.

Adresa

Ambasada e Republikës së Shqipërisë
4F Hokkoku Shimbun Bldg.
6-4-8 Tsukiji, Chuo-ku.
Tokyo 104-0045

Tel / Fax

Tel. 03-3543-6861
Fax: 03-3543-6862
Nr. i emergjences: 03-3543-6861

E-MAIL

embassy.tokyo@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë – E Enjte 9.00 – 17.00
E premte 9.00 – 15.00