
Me daten 26 Nëntor, në ambientet e Restorant "Troja" në Tuz, Ambasada e Republikës së Shqipërise në Podgoricë, organizoi pritjen me rastin e Ditës së Pavarësisë. Në këtë aktitivitet që shënon ngjarjen më historike të kombit shqiptar, morën pjesë rreth 250 të ftuar, mes tyre edhe Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Z. Suljo Mustafic, Sekretari i Shtetit në MPJIE të Malit të Zi, Z. Igor Jovovic, përfaqesues të Trupit Diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, deputete dhe kryetarë të partive politike shqiptare, përfaqesues të strukturave lokale dhe shoqërise civile shqiptare nga Mali i Zi dhe Shqipëria, personalitete të kultures dhe artit shqiptar, përfaqesues të medias shtetërore malazeze dhe atyre lokale shqiptare në Mal të Zi etj. Pjesë përberëse e kësaj pritje ishte edhe ekspozita me 15 eksponate te Fototekës Kombëtare Marubi, e cila u mundësua përmes një bashkëpunimi mjaft të mirë me Keshillin Kombetar Shqiptar në Mal të Zi. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori, Z. Ernal Filo, nënvizoi rëndesinë historike të pavarësise së Shqiperisë 103 vjet më parë. Më pas, ai u ndal në bashkëpunimin dypalësh midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe vullnetit për ti zhvilluar ato më tej në të gjitha fushat, si dhe në modelin shumë të mirë të marrëdhënieve që dy vendet tona prezantojnë në rajon. Ambasadori Filo gjithashtu theksoi mbështetjen që Shqipëria i jep Malit të Zi drejt anëtarësimit në NATO dhe proceseve integruese në BE.Në fund të fjalës, Ambasadori, Z. Ernal Filo, iu drejtua edhe me një mesazh komunitetit shqiptar në Mal të Zi, duke vënë theksin tek pergjegjshmëria dhe vullneti që ata duhet të tregojnë ndaj brezave të ardhshëm përmes unifikimit në qëndrimet e tyre për zgjidhjen e të gjitha problemeve, me të cilat ata ndeshen, në të mirë të një integrimi sa më të plotë në shoqërine e shtetit ku ata jetojnë dhe punojnë. Më pas përshendeti edhe Kryetari i Keshillit Kombëtar Shqiptar, Z.Genc Nimanbegu, i cili foli për situaten me të cilën përballen shqiptarët në Mal të Zi, aktivitetin e Këshillit dhe pritshmëritë në të ardhmen. Pritja u organizua falë sponzorizimit të kompanive: "GEGA Oil","Restorant Troja", "CUNGU&Co", "Stamparija OBOD" dhe "Carinski Terminal Cetinje", ndaj të cilave Ambasada e Republikës së Shqipërisë shpreh falenderimet më të sinqerta. Nën tingujt e muzikës së lehtë tradicionale shqiptare, të pranishmit paten mundësi të shijojnë ushqimin tradicional shqiptar të Restorant Troja si dhe vizitojnë eksponatet e Fototekës Marubi.