Ministri në Detyrë Cakaj në takimet me faktorin politik shqiptar në Malin e Zi - Zgjedhjet në Tuz, mesazh i shkëlqyer i bashkimit të shqiptarëve.
Gjatë vizitës në Malin e Zi, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, zhvilloi edhe një takim me të gjithë përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar në vendin fqinj.
Ministri në Detyrë u ndal të zhvillonte takime dypalëshe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptareve, Faik Nika, Kryetarin e Partisë Forca, Nazif Cungu, Kryetarin e Unionit Demokratik Shqiptar, Mehmet Zenka, Kryetarin e Alternatives Shqiptare, Nik Gjeloshaj, Kryetarin e Lidhjes Demokratike, Nikollë Camaj, Kryetarin e Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, Kryetarin e Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, Saubih Mehmeti, si dhe me Kryetarin e Perspektivës, Amir Hollaj.
Në takimin me ta Ministri Cakaj nënvizoi rolin konstruktiv dhe aktiv të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi në proceset integruese euro-atlantike, tepër të rëndësishme si për vetë shqiptarët, ashtu edhe për të ardhmen e Malit të Zi.
Ndër të tjera, Ministri në Detyrë Cakaj duke iu referuar rezultatit të mirë të koalicionit “Malësia na Bashkon” për zgjedhjet lokale në Komunën e re të Tuzit, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që mbart unifikimi i mëtejshëm i mbarë spektrit politik shqiptar në Malin e Zi.
“Shembulli i Tuzit flet më mirë se çdo retorikë tjetër për nevojën e unifikimit të shqiptarëve për të nxitur, zhvillimin e mëtejshëm ekonomik te tyre, përmirësimin e jetesës, përfaqësimit të tyre më të mirë në institucionet qendrore e lokale, si dhe arritjen e disa standardeve të reja në arsimimin, ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave të shqiptarëve në Mal të Zi.” – u shpreh Kryediplomati shqiptar në takimin me partitë shqiptare të Malit të Zi.
Në takimin me faktorin politik shqiptar, rëndësi e veçantë iu dha edhe bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimit të zonave në dy anët e kufirit, në funksion të mundësimit të programeve.